Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të ri në tri lokacione të ndryshme në Gjilan, duke arrestuar dy persona si të dyshuar për veprat penale “Fajde dhe detyrim”.
Siç thuhet në njoftimin e policisë, dyshohet se ata kanë shkaktuar dëme materiale në vlerë mbi 600 mijë euro ndaj viktimës, dhe gjatë operacionit janë sekuestruar makinat, motorët sportivë, armë dhe municion, së bashku me dokumente të rëndësishme për procedurat penale.
Aksioni është koordinuar nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policor, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar. Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes, dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro”, ka njoftuar policia.
“Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportivë, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndryshe, më 20 qershor, Policia e Kosovës ka bastisur disa lokacione në Pejë, duke arrestuar katër persona të dyshuar për Fajde, Detyrim dhe Rrëmbim.
(VIDEO) Operacioni policor kundër fajdeve, momenti i arrestimit të katër të dyshuarve