Vërshimet e janarit të kaluar kanë lënë pasoja që ende nuk po tejkalohen.
Pasurinë e tërë jetës shumë qytetarë të Skenderajt e humbën për pak sekonda.
Dikush shtëpinë, e dikush biznesin me shumë vlerë të ngritur me shumë sakrificë e mundi.
Deri para një viti në këto rafte ushqeheshin bënin vezë dhe ishin në prodhim mbi 15 mijë pula, për shkak të nivelit të lartë ujit mbi 12.500 pula ngordhën, ndërkaq për shkak të dëmit financiar, pronari fermën e ka mbyllur përkohësisht.
Pronari Liridon Geci tregon se dëmet kapin vlerën rreth 400 mijë euro.
Në këto hapësira dikur punonin pesë punëtorë, e sipas tij, asnjëri nuk e kishte pagën nën 450 euro, por tash ferma është mbyllur dhe disa prej tyre kanë marrë rrugën për Gjermani.
Geci tregon që nga shitja e vezëve dhe pulave fitonte rreth 600 euro për çdo ditë, e tash në vend se të llogarisë fitimin e ka hallin e borxhit në bankë.
“Krejt ky investim që është bërë këtu është bërë me ndihmën e kredive bankare edhe tash unë i kam boligim diku rreth 150 mijë euro në kredi bankare të cilat janë në përmbarim nga banka. Nëse nuk kemi ndonjë ndihmë ose diçka ne rrezikojmë me i humb këtu edhe pronën edhe objektet”, ka thënë Geci.
Shpresë që sadopak brengat financiare t’i zbuten, Geci i kishte tek ndihma e qeverisë, por përderisa ekonomitë familjarë janë kompensuar, për bizneset, dëmet në bujqësi dhe infrastrukturë publike ende nuk janë ndarë mjetet.
Këtë e konfirmon zëdhënësi i komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku i cili po ashtu tregon që vlerësimi për fermën e Gecit, dëmet janë njësuar në vlerë mbi 400 mijë euro.
Sipas tij vetëm vetëm në infrastrukturën publike dëmi kalon vlerën 6 milionë euro.
“Dëmet në ekonomitë familjare kanë qenë rreth 2 milionë euro, në biznese kanë qenë më shumë se kjo shifër, dhe dëmet në bazë të vlerësimit të komisionit komunal kanë qenë rreth 12 milionë e 203 mijë euro dëmet në total në komunën e Skenderajt,”, ka thënë Lushtaku.
Lushtaku ka konfirmuar se deri më tani nga niveli qendror janë ndihmuar vetëm ekonomitë familjare.
Edhe zyrtar nga komuna e Mitrovicës, për TV Dukagjini kanë deklaruar se nga bujqit, fermerët dhe bizneset kanë marrë ankesa që ende nuk i kanë pranuar ndihmën financiare.
Më 13 dhjetor Qeveria kishte marrë vendim që të ndajë 4 milionë euro për ofrimin e ndihmës për rimëkëmbje të bujqve dhe bizneseve të prekura nga fatkeqësia natyrore/vërshimet.
Vendimi, parasheh ndihmën prej 90 % prej një maksimumi prej 20 mijë eurosh, të vlerësuar nga Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve.
As nga Zyra e Kryeministrit por as nga Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje për mos-ndarjen e ndihmës për këto kategori.