Gëzim Çela, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri këtë të enjte.
56-vjeçari, i cili akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, fillimisht ishte arrestuar më 8 dhjetor të vitit 2023 në Ferizaj.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrpusionit (SPAK), në kuadër të operacionit “Flakë në det”, ku u arrestua shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj.
Dyshohet se një shtetas i Kosovës e kishte strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria.
Arrestimi i të kërkuarit me urdhërarrest ndërkombëtar është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e antidrogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi të tjera të PK-së.
Për arrestimin ishin njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj ishte kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë.
Gjatë kontrollit në shtëpi ishte gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.