Rreth orës 04:50 të së premtes, në rrugën kryesore Ferizaj-Prishtinë, afër një karburanti, ka ndodhur një grabitje me armë, e cila më pas është parandaluar me ndërhyrjen e Policisë.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka thënë se të dyshuarit kanë filluar të gjuajnë me armë zjarri në drejtim të veturës zyrtare të policisë që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, edhe pse vetura zyrtare u dëmtua në masë të madhe, dy policët që ishin brenda saj kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim.
“Patrulla e policisë, me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtien me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes me një veturë të dyshuar si një karavan ngjyrë teget, në drejtim të panjohur.
Në veturën e dyshuar kishte dyshime se ishin 4 persona me armë të gjata.
“Ndërsa shkëmbim zjarri kishte edhe nga ana e zyrtarëve policorë, mirëpo të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes me një veturë dyshohet karavan ngjyrë teget, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata”, ka deklaruar Veseli.
Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë ndaj kësaj ngjarjeje dhe ka dërguar ekipet e tyre në vendin e ngjarjes për të ndihmuar patrullën e policisë.
Po ashtu, sipas tij, hetimet për rastin janë duke vazhduar.