Katër kamera ishin të vendosura në selinë e SDP-së, partisë së të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka qenë funksionale në momentin e vrasjes së Ivanoviqit.
Sipas prokurorit Burim Qerkini, ato nuk ishin duke punuar që nga 4 janari, e deri më 16 janar të vitit 2018.
Kamerat kishin hyrë në funksion pas vrasjes së Ivanoviqit, pamjet e të cilave janë lëshuar në seancën gjyqësore të së premtes.
Aty shihet reagimi i ambulancës dhe i policisë, derisa vërehet se një zyrtar policor merr diçka nga toka.
E, pikërisht për këtë, para trupit gjykues ka dëshmuar Nenad Simiq, ish-shefi i njësisë regjionale hetuese në Mitrovicë, i cili tha se zyrtari policor është ulur ka marrë diçka dhe më pas e ka kthyer sërish në tokë.
“Ne incizim janë parë edhe dy policë. Një moment njëri nga policët është ulur dhe ka marrë diçka nga toka, nga asfalti, e ka shikuar se çfarë ka marrë dhe e ka kthyer prapa aty ku e ka marrë. Pse e kam mbajtur mend këtë sepse ky është i vetmi video-incizim që e kam parë”, ka deklaruar Nenad Simiq.
Pas insistimit të trupit gjykues, Simiq ka thënë se më vonë e ka kuptuar se ai zyrtar policor ishte Dragisha Markoviq, i cili është në mesin e të akuzuarve në këtë rast.
“Kush është personi..”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.
“Është Dragisha Markoviq. Atëherë se kam ditur por e kam njohur vetëm si figurë”, vijon Simiq.
Simiq, po ashtu ka thënë se Rade Basara, i akuzuar në këtë rast në kohën e vrasjes, ishte në pushim vjetor dhe ai i është kyçur në hetim për këtë rast më vonë.
“Sa më kujtohet mua, Rade e ka shfrytëzuar pushimin vjetor dhe fjalët e mia mund të vërtetohen në sistemin PRIMAS të policisë dhe dokumentacionet janë të gjitha… edhe nëse nuk ka punuar sistemi atëherë është regjistruar në dokumente tjera”, ka deklaruar dëshmitari, Nenad Simiq.
Në seancën e kaluar, janë publikuar pamje ku shihej Ivanoviq teksa në ditën kritike largohet nga banesa, përderisa dyshohet se po përcillej nga grupi kriminal, i cili më pas e ekzekutoi atë.
Në këtë rast, të akuzuar janë Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.