Mëngjesin e së mërkurës janë parë forca të shtuara të karabinierëve italianë te ura e Ibrit.
Sipas pamjeve të siguruara nga Dukagjini, aty shihen autoblinda e trupa të karabinierëve italianë.
Po ashtu, mëngjesin e së shtunës, atje u pa prani më e madhe e forcave dhe autoblindave.
Në orët e pasdites, disa prej tyre u tërhoqën.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mjete shtesë, që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të tij, janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i i u përgjigj për Dukagjinin se përse të shtunën kishte forca të shtuara të misionit në këtë urë.
“Dislokimet e tilla shtesë janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i bën për t’i testuar procedurat e tij dhe për t’i ruajtur standardet më të larta operacionale”, thuhej në përgjigjen me shkrim.
Ky zhvillim erdhi një ditë pasi Qeveria e Kosovës në koordinim me policinë mbyllën 5 komuna paralele në veri, për të cilat thanë se funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera reaguan, duke thënë se ky veprim ishte “i pakoordinuar” me aleatët perëndimorë dhe me “rrezik për sigurinë”.
Ngjashëm shprehu zhgënjim edhe NATO-ja, e cila, përmes zëdhënëses Farah Dakhlallah, tha se aksionet nuk ishin të koordinuara me KFOR-in, “pavarësisht premtimeve të përsëritura se do të bëhet një gjë e tillë”.