Përshtatja e poemës së lashtë greke e Homerit, “Odisea”, e krijuar nga Elon Musk me inteligjencë artificiale, është përballur me kritika të shumta në internet, pasi Grok Imagine publikoi episodin e parë shtatëminutësh të projektit. Publikimi vjen tre muaj pasi miliarderi premtoi realizimin e një filmi të plotë, i cili, sipas tij, do të ishte “historikisht i saktë dhe besnik ndaj artit të Homerit”.
Videoja u publikua në platformën X, dikur e njohur si Twitter, dhe u prezantua si një “bashkëpunim krijues” me Wonder Studios dhe regjisorin Dev Walker, të cilët specializohen në prodhimin e filmave me inteligjencë artificiale.
Musk e njoftoi për herë të parë projektin në korrik, pak ditë pasi filmi The Odyssey, me regji të Christopher Nolanit, u shfaq në kinema. Para kësaj, ai kishte kritikuar disa nga zgjedhjet e kastit, veçanërisht përzgjedhjen e Lupita Nyong’o-s në rolin e Helenës së Trojës dhe të Elliot Page në rolin e Sinonit.
“Para fundit të këtij viti, Grok Imagine do të krijojë një film të plotë për ‘Odisenë’, historikisht të saktë dhe besnik ndaj artit të Homerit”, shkroi Musk në X, duke publikuar edhe një klip treminutësh të krijuar me IA nga një përdorues tjetër, që paraqiste një skenë mes Odiseut dhe nimfës Kalipso.
Megjithatë, publikimi i episodit të parë nuk ka marrë reagimet e pritshme. Disa shikues e kanë cilësuar videon si “plehra të vërteta”, ndërsa të tjerë kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e inteligjencës artificiale për të kuptuar artin dhe për të sjellë në ekran veprat klasike.
Kritikat janë përqendruar te cilësia artistike dhe pasaktësitë historike të videos, veçanërisht duke pasur parasysh se vetë Musk kishte premtuar një përshtatje më besnike ndaj veprës së Homerit.