Beteja e Kosovës përpos në mitologji vazhdon të përdoret edhe në rrafshin politik.
Përvoja me të kaluarën tregon se një dekadë pas këtij fjalimi ku paralajmërohej për beteja madje edhe të armatosura, nga i njëjti person lufta e shkatërrimi u kthyen në realitet.
Edhe në këtë përvjetor nga ky vend pritet të përcillen porosi politike.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se serbët “do të marrin hapa për lirinë e tyre” për Vidovdan më 28 qershor.
Sipas historianëve këto mesazhe janë vazhdimësi e trashëgimisë së kaluar, shpesh herë me qëllim përfitimet politike.
“Është krejtësisht e kuptueshme edhe brenda logjikës së kësaj tradite të politikës për Serbinë e madhe që dikur ministri i propagandës së një prej qeverive të Millosheviqit sot president i Serbisë, Aleksandat Vuçiq, paralajmëron që me 28 qershor do të aktivizohet siç ka thënë ai Serbia. Në fakt unë besoj që thjesht po shfrytëzon faktin që po përkon kjo datë me periudhën kur janë këto tensionet në veri”, ka thënë Durim Abdullahu, Profesor i historisë në UP.
Por si u krijua miti për betejën e Kosovës nga shteti serb.
“…është përkthyer në një mit politik në mes të shekullit XlX fillimisht prej autorëve malazez e pastaj edhe serb. Dhe gjatë gjithë shekullit XX është përdorur si një argument historik i Serbisë për Kosovën”, shtoi ai.
Në të kaluarën në vendin e njohur si Gazimestan afër Obiliqit ka pasur edhe incidente e provokime nga pjesëmarrësit, gjë që nuk mund të evitohet as këtë vit sipas ekspertëve të sigurisë.
“Nuk ka nevojë që ky manifestim të anulohet apo të kërkohet një reduktim por masat që duhet të ndërmerren është që nga Policia e Kosovës në një formë të organizojë mbarëvajtjen edhe ardhjen e persona por njëkohësisht edhe gjatë zhvillimit të manifestimit që nuk me siguri nuk do të kalojë pa incidente”, a ka thënë Nuredin Ibishi, Eksperti i sigurisë.
Beteja e Kosovës u zhvillua në vitin 1389 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe forcave ballkanike në një front të përbashkët ndër ta edhe shqiptarët. Megjithatë kjo betejë është përdorur vazhdimisht si argument nga serbët mbi të drejtën e tyre për sundim në tokën që nuk iu ka takuar historikisht.