Vietnami ka regjistruar temperaturën e tij më të lartë ndonjëherë, pak më shumë se 44 gradë celsius.
Rekordi u vendos në provincën veriore të Thanh Hoa me ç’rast, zyrtarët paralajmëruan njerëzit të qëndrojnë brenda në kohërat më të nxehta të ditës.
Edhe vendet e tjera të rajonit kanë përjetuar mot jashtëzakonisht të nxehtë.
Tajlanda raportoi një rekord të barabartë me 44.6 gradë Celsius në provincën e saj perëndimore, Mak.
Ndërkohë mediat e Mianmarit raportuan se një qytet në lindje kishte regjistruar 43.8 gradë celsius, temperatura më e lartë për një dekadë.
Të dy vendet përjetojnë një periudhë të nxehtë para sezonit të musonit, por intensiteti i nxehtësisë ka thyer rekordet e mëparshme.
Në Hanoi, eksperti i ndryshimeve klimatike Nguyen Ngoc Huy i tha AFP se rekordi i ri i Vietnamit ishte “shqetësues” duke pasur parasysh “kontekstin e ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale”, transmeton BBC.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë nuk bëjnë shkurtime të mëdha.
Në qytetin qendror të Vietnamit, Danang, fermeri Nguyen Thi Lan i tha AFP se nxehtësia po i detyronte punëtorët të fillonin më herët se kurrë dhe të përfundonin deri në orën 10:00.
Temperatura e mëparshme rekord e Vietnamit prej 43.4 gradë Celsius u vendos në provincën qendrore Ha Tinh, katër vjet më parë.
Më në perëndim, kryeqyteti i Bangladeshit Dhaka regjistroi temperaturën e tij më të lartë që nga vitet 1960, ndërsa autoritetet indiane thanë se disa pjesë të vendit po përjetonin temperatura që ishin tre ose katër gradë mbi normalen.
Në prill, Spanja regjistroi temperaturën e saj më të nxehtë ndonjëherë për atë muaj , duke arritur në 38.8C në aeroportin e Kordobës, në jug të vendit.
Në mars, shkencëtarët e klimës thanë se qëllimi kryesor i temperaturës globale ka të ngjarë të humbasë.
Qeveritë kishin rënë dakord më parë të vepronin për të shmangur rritjen e temperaturës globale mbi 1.5 gradë Celsius. Por bota tashmë është ngrohur me 1.1 gradë Celsius dhe tani ekspertët thonë se ka të ngjarë të kalojë 1.5 gradë C në vitet 2030.