Një aksident i rëndë trafiku ndodhi të dielën mbrëma në fshatin Çubrel të Skenderajt, ku për pasojë humbën jetën tre persona dhe pesë të tjerë u lënduan.
Policia bëri të ditur se në këtë aksident ishin përfshirë dy automjete, njëra prej të cilave ishte veturë zyrtare e policisë.
Tre personat që humbën jetën në këtë aksident ishin të familjes Gashi nga Peja. Kështu ka bërë të ditur edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri i cili ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për aksidentin e rëndë që ndodhi në Çubrel të Skenderajt, ku humbën jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja. Kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne. Në këto çaste të vështira, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, të afërmve dhe miqve të tyre”, ka shkruar Muhaxheri.
Ai ka theksuar se “Peja dhe gjithë qytetarët e saj janë pranë jush në këto momente të rënda”.
Për këtë aksident ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërkaq të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.
Ai ka shtuar se autoritetet përkatëse janë duke punuar për të siguruar një pasqyrë të plotë të rastit dhe bëri thirrje për kujdes të shtuar në trafik.
“Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve në Skenderaj, Liman Geci, ka deklaruar për Dukagjinin se njëri nga viktimat, shoferi i një prej veturave të përfshira, ka vdekur në vendin e ngjarjes, dhe se mosha e tij ishte rreth 55 vjeç.