Të hënën e 14 nëntorit, dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor ku Visar Azemi u zgjodh kryetar i degës.
Azemi, i cili së fundi i është bashkangjitur Lidhjes Demokratike të Kosovës u prit jashtëzakonisht mirë nga strukturat e LDK në Ferizaj dhe kjo në fund u kurorëzua me zgjedhjen e tij si kryetar i kësaj dege.
Në fjalimin që e mbajti në mesin e shumë delegatëve, bashkëpunëtorëve, dhe aktivistëve të LDK-së në Ferizaj, ai theksoi se angazhimi i tij për zhvillim në këtë komunë dhe Kosovë është i përhershëm.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pati disa fjalë për Azemin.
Ai konsideron se ardhja e Visari në këtë parti opozitare për ta është vlerë.
“Ardhja e Visarit në LDK për ne është vlerë. Ai bëhet pjesë e profesionistëve më të mirë të vendit që zgjedhin të lënë komfortin jetësor për angazhim vullnetar politik”, ka thënë Abdixhiku për Azemin.
Azemi është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në fushën e Sistemeve Elektroenergjetike.
Ai ka vazhduar më pas studimet postdiplomike në Univeristy of Maryland Global Campus, në drejtimin e Menaxhimit Ndërkombëtar Financiar.
Po ashtu, Abdixhiku ka thënë se ai shërbeu dhe si ligjërues në lëndët e Algjebras dhe Shkencave Kompjuterike për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpër baza të ndryshme ushtarake në botë.
Ndërkaq, Azemi së fundmi shërbeu edhe si drejtor Ekzekutiv i Balkan Green Foundation. Përgjatë kësaj kohe, ai ka qenë autor i një numri të madh studimesh e publikimesh mbi energjinë e qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
Visar Azemi i bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Ardhja e tij për ne është vlerë