14 shkurti i viti 2021 mbahet mend për një tërmet elektoral që kishte ndodhur në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje kishte prekur në shifra rekorde të përqindjes së fituar në zgjedhje të përgjithshme.
Ky subjekt politik, që për kryetar ka Albin Kurtin, kishte fituar mbi 50% të mandateve.
Tri vjet pas, janë partitë opozitare ato që kanë kritika për mënyrën se si po qeveriset Kosova nga qeveria e Albin Kurtit.
Për deputeten e PDK-së, qeveria Kurti karakterizohet vetëm me skandale.
“Fatkeqësisht gjatë këtyre tri viteve krejt çka ka ba qeveria në kohën kur është dashur më shumë koordinim, qoftë për anëtarësim në KE, qoftë për njohje të reja apo fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar apo edhe për dinarin, është pa që kjo qeveri në mënyrë të njëpasnjëshme ka treguar arrogancë më aleatin ndërkombëtar”, ka deklaruar Blerta Deliu-Kodra – PDK.
Pak a shumë në linjë të njëjtë janë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nga kjo parti opozitare theksin e vënë te çështjet ekonomike,
“Kanë shpërnda qindra miliona pa kurrfarë kriteresh me një vendim të ministrit Murati me nga dy paragrafë, duke i barazu të varfërit më të pasurit, duke u mundu që më 100 euro lëmosh të zgjidhin problemet e tyre, por kemi pa që ato para kanë përfundu jashtë kufijve të vendit, është vështirë për me folë për progres”, ka deklaruar Hykmete Bajrami – LDK.
Në mes të këtyre temave të përmendura nga PDK-ja e LDK-ja, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë edhe një kritikë tjetër.
Ata konsiderojnë se Kurti po mbahet me vendime populiste për veriun e vendit.
“Kemi ngecje në zhvillimin ekonomik, nuk kemi mbështetje në asnjë drejtim lidhur më subvencione në ekonomi, nëse e marrim arsim, ju e dini që kanë qenë të propozuara 160 çerdhe dhe janë ndërtuar vetëm katër që tri vite dhe po ashtu procesi mësimor ka ngecje”, ka deklaruar Pal Lekaj – AAK.
Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet me 14 shkurt, ndërsa qeverinë me kryeministër Albin Kurtin e kishte zgjedhur në fund të muajit mars të vitit 2021.