Mund të themi me plotë gojë se në vitin 2022, çështja e ngacmimeve dhe dhunimeve seksuale mori kohën e saj për t’u trajtuar si një problem serioz në rritje. Jo se më parë nuk ishte trajtuar si e tillë, por prania e të paktën 2 rasteve për çdo ditë në raportin e Policisë së Kosovës dhe përgjigjeve që Portali Dukagjini siguroi nga Policia e Kosovës, lë të nënkuptohet se rritja e një fenomeni të tillë nuk po ngadalësohet, e aq më pak të ndalohet.
Sipas sociologut Jeton Brajshori, çështja nuk qëndron te shpeshtimi i rasteve të kësaj natyre, por te rritja e raportimeve të tyre.
“Numri i rasteve të dhunime dhe ngacmimeve seksuale ka qenë gjithmonë i lartë. Arsyeja pse kemi kohëve të fundit raste të shumta është se kemi denoncime të dhunës më shumë, pra është një vetëdije kolektive, e cila po shkon duke u rritur sepse mosdenoncimet vetëm se sa po i inkurajojn dhunuesit të vazhdojnë prapë me krimin e njëjtë”, ka thënë Brajshori, gjersa ka theksuar se më herët, si shkak i paragjykimeve të cilat edhe sot u bëhen viktimave të dhunës, ka pasur më pak denoncime.
Sipas Brajshorit, mbetet një obligim shoqëror që të reagojë shumë më zëshëm në raste të tilla, duke filluar nga vetja, familja e më gjerë.
Ndonëse, Portali Dukagjini ka kërkuar që rastet të ishin të specifikuara me moshën e viktimave, Policia e Kosovës ka dërguar numrin e rasteve të përgjithshme nga veprat penale të ngacmimit seksual, sulmit seksual dhe dhunimit.
“Ngacmimi seksual – 87 raste, sulme seksuale – 62 raste dhe raste të dhunimit – 88”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sa patën rol protestat?
Ndonëse protestat janë forma më e zakontë e shprehjes së pakënaqësive të shoqërisë, Brajshori thotë se ato të mbajturat nuk kanë pasur efekt.
“Mënyra e protestës është një mekanizëm i cili i shtyen proceset përpara, duke e shprehur një revolt shoqërore. Fatkeqësisht te ne, protestat nuk po kanë fare efekt. Kemi me dhjetra raste dhune, vrasje kur është protestuar dhe kaq. Asnjë përgjëgjësi apo dorëheqje e lëre më shkarkim nga krerët e lartë të instituciomeve. Mosreagimi i tyre me kohë, ka dërguar deri te vrasja e shumë viktimave, të cilat janë kërcënuar më herët dhe nuk janë marrë seriozisht nga personat kompetentë. Pra të gjitha instoticionet dhe personat përgjegjës për të ofruar ndihmë dhe siguri, në mënyr indirekte janë pjesëmarrës në dhunime dhe vrasje!”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, protestat duhet të mos ndalen menjëherë, por të vazhdohen deri në shkarkimin e personave përgjegjës.
Cilat janë ndryshimet që mund të vërejmë te sjellja e fëmijëve pas ngacmimeve seksuale, e madje edhe pas përdhunimeve?
Përjetime të tilla padyshim që do të sjellin ndryshime në mënyrën e jetesës së viktimave të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrën e reagimit dhe përshtatjes ndaj ambientit.
Zakonisht, ndjenjat sikurse izolimi, frika, ankthi, ndryshime të humorit, ulja e performancës në shkollë, një kaplim heshtjeje, janë ndjenjat më të shumta të përjetuara nga ngjarjet e tilla traumatike.
Por, sipas psikologes Diellza Gllogu, ato nuk janë të vetmet simptoma.
“Fëmija mund të shfaqë ulje të interesimit për lojë, rritje të sjelljes kundërshtuese, vështirësi me gjumin si dhe probleme në përqendrim dhe mësim”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, ajo ka thënë që si pasojë e ndjenjës së turpit, vetëfajsimit, frikës për stigmatizim, shpeshherë ngacmimet seksuale nuk raportohen ose edhe mbahen të fshehta nga të mbijetuarat/it e ngacmimit seksual.
Ndërsa, ajo thekson rëndësinë e vëmendjes që u duhet kushtuar nga ana e prindërve, kujdestarëve, familjarëve dhe edukatorëve, të gjitha viktimave e veçanërisht fëmijëve, pasi sipas saj, mbështetja emocionale është e nevojshme për t’i parandaluar pasojat afatgjate.
Se a ndryshojnë ndikimet varësisht moshës, duhet theksuar se pavarësisht saj, kemi të bëjmë me një ngjarje traumatike, e cila ka mundësi të lërë pasoja afatgjate në mirëqenien psikologjike.
Ndërkaq, nuk përjashtohet fakti se fëmijët shpeshherë nuk ia kanë idenë e të dalluarit se çfarë është një ngacmim seksual. Kjo nuk nënkupton se ngjarja do të venitet me kohën, sikurse nuk ka nodhur kurrë.
“Përvoja mbi ngjarjen mbetet në kujtimet e personit dhe si e tillë mund të rikthehet e ripërjetohet në momente kur diçka asocohet me të (si, një aromë, një detaj nga ambienti apo vetë ambienti, etj). Kësisoj, ngjarja e cila mund edhe të mos jetë përceptuar si ngacmim nga fëmija, mund të reflektojë pasojat në momentin kur e/i mbijetuara/i bëhet e/i vetëdijshëm se ngjarja që ka përjetuar është ngacmim seksual”, ka thënë Gllogu.
E njëjta vlen edhe për moshat madhore. Andaj, thuhet se ekziston ndërlidhje ndërmjet ngacmimit seksual dhe mirëqenies së ulët psikologjike, pavarësisht moshës.
Përmbledhje e disa rasteve të raportuara përgjatë vitit 2022
Ishte 28 korriku i këtij viti, kur Portali Dukagjini raportoi se një fëmijë gjashtëvjeçar u sulmua seksualisht në Prishtinë. Një ditë më parë, më 27 korrik, ishin raportuar tri rasteve të sulmeve seksuale ndaj të miturve. Ishin Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, vendet ku kishin ndodhur rastet, dhe pikërisht tek ai në kryeqytet, ishte Portali Dukagjini ai që siguroi dëshmi vizuale.
Sipas burimeve, dy dëshmitarë teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.
Me të parë atë veprim, dëshmitari fillimisht e ka pyetur “çka e ke këtë vajzë?”, duke iu referuar viktimës, kurse i dyshuari i është përgjigjur se është vajza e tij.
Dëshmitarët, të cilët po ashtu janë banorë të së njëjtës lagje, janë larguar nga dyqani për t’u kthyer përsëri pas pak minutash.
Por, kësaj radhe, i dyshuari gënjen sërish dhe pas një konfrontimi të zgjatur për disa minuta, i dyshuari kupton se është njoftuar policia për rastin. Ai kishte tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Madje në një moment, në pamjet e siguruara nga Portali Dukagjini, shihet derisa mundohet të ikë me veturën e tij, duke i rrezikuar edhe të pranishmit.
Pas arritjes së policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi i njëjti kishte sulmuar seksualisht një femër kosovare (fëmijë)”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në një përgjigje të atëhershme, 92 raste ishin iniciuar të referuara si “ngacmime seksuale”, ndaj të miturve dhe fëmijëve, të gjitha të raportuara brenda një viti e gjysmë në Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 korrik kishte bërë të ditur se të pandehurit H.M, i cili dyshohet për sulm seksual ndaj një 6-vjeçareje, i është vënë masa e paraburgimit prej një muajsh. Atij, kjo masë i ishte zgjatur edhe për dy muaj të tjerë.
Sulm seksual ndaj të miturës në shkollë – arrestohet punëtori teknik
Një nxënëse 14-vjeçare e shkollës fillore “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, dyshohet se është sulmuar seksualisht nga punëtori teknik, gjatë kohës kur ajo i kërkoi ndihmë për të rregulluar diçka në banjonë e shkollës. Situata ishte xhiruar e gjitha nga kamerat dhe ndërkohë, drejtori e kishte lajmëruar të dyshuarin në Polici.
Ndërkaq, Qendra për Punë Sociale në Komunën e Malishevës, thotë se i ka ofruar të gjithë ndihmën të miturës.
“QPS ka hapur rastin dhe ka caktuar menaxheren e rastit, gjatë intervistimit QPS i ka ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme, ndihmë mjekësore, psikologjike dhe në rast nevoje i është ofruar edhe strehimi të mitures”, ka theksuar Berisha.
Prokuroria në Gjakovë ngrit 10 aktakuza për sulm seksual, dhunim dhe detyrim në prostitucion
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se gjatë periudhës kohore janar-gusht të vitit 2022, ka ngritur dhjetë aktakuza ndaj dhjetë personave për veprat penale “Sulmi seksual”, “Dhunimi”, si dhe “Mundësimi apo detyrimi në prostitucion”.
Po ashtu, sipas njoftimit, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave, të cilat sipas saj, janë aprovuar nga gjykata.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë periudhës kohore janar- gusht 2022, ka ngritur 10 (dhjetë) aktakuza, kundër 10 (dhjetë) personave, për veprat penale, ‘Sulmi seksual’, ‘Dhunimi’, si dhe ‘Mundësimi apo detyrimi në prostitucion’. Po ashtu, për këtë periudhë kohore prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 6 (gjashtë) personave të dyshuar si kryes të këtyre veprave penale, të cilat janë aprovuar nga gjykata kompetente”, thuhet në njoftim.
Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë
Dyshohej se një vajzë 11-vjeçare ishte dhunuar nga disa persona për disa orë me radhë. Pretendohet se e gjitha nisi në një park të qytetit, aty ku tre persona para se ta dhunonin, të miturën e kishin ngacmuar me fjalë.
Sipas këtij raportimi dhe dosjes së prokurorisë të siguruar nga kallxo.com, të dyshuarit ia kishin hequr rrobat të miturës në park.
Tutje, në të thuhet se “Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës, ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht. Sipas përshkrimit të prokurorisë, dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht. Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër”.
Më tej, Dosja e Prokurorisë përshkruan se njëri nga personat e kishte futur 11 vjeçaren në një veturë, dhe së bashku me tre persona të tjerë e kishin dërguar atë në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari. Aty, viktima sipas dosjes, ka dyshime se ishte dhunuar përsëri nga shoferi i veturës.
Gjatë ditës, Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, dy personave që pretendohet se ishin të përfshirë në këtë rast, vëllezërit E.R dhe G.R, ky i fundit i mitur.
Ndaj tyre rasti është veçuar. Ndërkaq, Prokuroria ka dhënë detaje për arrestimin.
“Me urdhër të prokurores kujdestare nga departamenti për të mitur, janë ndaluar dy persona, njëri i moshës madhore, në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe një person tjetër i mitur në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak se të njëjtit dyshohet se e kanë kryer veprën penale të dhunimit. Po ashtu, ndaj këtyre dy të dyshuarve Prokuroria ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtit kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake”, ka thënë Laureta Ulaj, Zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.
E.R, 27-vjeçar, të cilit iu caktua masa e paraburgimit, dyshohej të jetë i përfshirë edhe në raste të ngjashme më herët.
Ai në databazën e Policisë dhe Prokurorisë, figuron si i dyshuar edhe për shumë vepra të tjera, por nuk është e qartë pse ka qenë i lirë, meqenëse ende nuk është dhënë asnjë detaj tjetër nga organet e drejtësisë.
Rasti kishte ndodhur gjatë gushtit të këtij viti.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave (madhorë), të përfshirë në rastin ndaj 11-vjeçares.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.Rr., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4 pika 4.7, lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, i pandehuri D.Rr., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4 pika 4.7, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit G.S. dhe B.S., ngarkohen për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i pandehuri M.S., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4 pika 4.7, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Po ashtu, sipas njoftimit dhe aktakuzës nga ana e Prokurorisë Themelore, i pandehuri F.S., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4 pika 4.7, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri M.R., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, si dhe i pandehuri E.S., ngarkohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4 pika 4.7, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me neni 33 të KPRK-së.
Ndryshe, në lidhje me dhunimin e 11-vjeçares, si fillim ishte raportuar se rasti kishte ndodhur në gusht, e më pas ishte zbuluar se ajo ishte dhunuar edhe më parë, saktësisht në muajin qershor të vitit 2022.
Ky rast nxiti protesta të tëra në Prishtinë.
Dhunohet 13-vjeçarja, viktima është 8 muajshe shtatëzënë
Një 13-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 20-vjeçar në qytetin e Vitisë. Rasti ka ndodhur në shkurt të këtij viti, por është raportuar në shtator, kur viktima ishte 8 muajshe shtatzënë. Për RTV Dukagjinin, kishte rrëfyer babai i të miturës.
“Rasti ka ndodhur para 7-8 muajsh përafërsisht, nuk e ka vërejtur askush prej shtëpisë se vajza e re, nuk ka pasur simptoma të shtatzanisë, e ka vërejtur vajza e tretë, e kemi dërguar te mjeku ka dalë se është shtatzënë, me rastin është marrë policia, dihet personi kush është, por faktkisht ai është jashtë”, ka thënë babai i viktimës.
Nga prokuroria themelore në Gjilan nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës së raportimit, por me televizionin ka folur Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Viti, Demush Mehmeti.
Ai ka thënë se rasti është cilësuar si keqpërdorim seksual, teksa thotë se me vajzën do të merret qendra, edhe pse ndryshe kishte pohuar babai i viktimës, kur potencoi se që nga marrja në pyetje asnjë psikolog as puëtore sociale nuk e ka takuar më vajzën.
Dy vrasje në “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore”
Ndonëse parashihet që kampanja “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore” të jetë një kampanjë sensibilizuese kundër dhunës dhe rasteve me fatalitet që shpeshherë vijnë si rezultat i saj, të premten e 25 nëntorit, kryeqyteti u zgjua me një lajm që i dha më shumë zë dhunës dhe vrasjeve ndaj grave e që njëherit, u shënua me një grua më pak.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, kishte konfirmuar për Portalin Dukagjini, se një grua 63-vjeçare ishte privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar. Më vonë, Prokuroria Themelore në Prishtinë doli me detaje tronditëse.
Në komunikatën e tyre thuhet se burri me inicialet I.G, i cili u vetëdorëzua në polici, dyshohet se me sëpatë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij. Motivet e vrasjes akoma nuk dihen dhe krahas kësaj, duhet theksuar se për rastin e vrasjes së 63-vjeçares nuk u raportua më parë për përdorim të dhunës.
Se sa mund të jetë dënimi për 70-vjeçarin dhe kur pritet të trajtohet rasti i tij në Gjykatë, duke qenë se punonjësit e gjykatave dhe prokurorive kanë reduktuar aktivitetin e tyre si rrjedhojë e vendimeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me pagat, Portali Dukagjini ka kontaktuar me një avokate.
“Në këtë rastin, tash sa kemi informacione preliminare të hetimeve, duket që ka ekzistuar dashja e kryesit të veprës për ta kryer këtë vepër. E paraparë me nenin 21 të Kodit Penal të Kosovës, dhe po ashtu nga vepime dhe njohurit që kemi tash për tash, shihet se është vrasje e rëndë edhe nga neni 173 i Kodit Penal, paragrafi 1.4, për arsye se është vrarë anëtari i familjes dhe është vrarë në mënyrë mizore … për këtë vepër, minimumi i dënimit është 10 vjet ndërsa maksimumi 40 vjet”, ka deklaruar avokatja, Adelina R. Hoxha, gjersa ka theksuar se pavarësisht motivit, veprimet janë të qarta dhe se beson që shqyrtimi i çështjes do të shkojë shpejt.
Në një përgjigje të 26 nëntorit, Policia e Kosovës bëri të ditur se në vitin 2022, janë evidentuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, ku në këto raste kanë qenë 2 mijë e 486 viktima.