Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë seancës të jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend rreth shqyrtimit të propozim- rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, ka replikuar deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, rreth këtij projektligji.
Vitia tha se Dreshaj është shprehur gabim sa i përket themelimit të fondit në bazë të këtij ligji, pasi ai është themeluar, por ky fond nuk ka pasur asnjëherë kapacitet në procesin e sigurimeve shëndetësore.
“Lëvizja Vetëvendosje i ka thënë zëshëm edhe para 10 viteve këto kritika që ju i paraqitët dje, më vjen mirë që edhe pas vitesh, edhe pse me vonesë, kemi pajtueshmëri. Por, një gjë e thatë gabim, është gabim sepse është bërë fondi në bazë të këtij ligji, sepse ky ligj shprehimisht nuk e ka parë themelimin e fondit. Nuk kam parë asnjë iniciativë nga qeveritë paraprake për të ndryshuar ligjin e sigurimeve shëndetësore apo për ta forcuar fondin as nga partia të cilës ju iu keni bashkuar, profesor”, tha para foltores, ministri Vitia.
Tutje, ai shtoi se “Përkundrazi ka pasur vetëm degradime, duke filluar prej burimeve njerëzore ku një pjesë janë punësuar komplet militantë dhe komplet me lidhje familjare. Ky fond nuk ka pasur kapacitet asnjëherë procesin e sigurimeve shëndetësore, aty vetëm është grumbulluar një borxh prej 30 milionë eurove, rast i cili është në prokurori dhe jemi në pritje të shohim procesin gjyqësor”.
Vitia tutje tha se nuk do të ketë me eksperimente, as veprime pa analiza e as përpjekje për t’i futur duart në pagat e qytetarëve pa asnjë parakusht.
“Nuk ka më eksperimente, jo më veprime pa analiza, jo më tallje e qytetarët, jo më shpenzime marramendëse të parave publike pa asnjë rezultat, jo më përpjekje për t’i futur duart në pagat e qytetarëve pa asnjë parakusht”, u shpreh Vitia.