Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në dy javët e para të dhjetorit do të nisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ofrimi i shërbimit të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Në një konferencë për media pas mbledhjes qeveritare, Vitia deklaroi se IVF-ja do të zbatohet nën një Udhëzim Administrativ të ish-ministrit Ferid Agani, derisa të miratohet ligji i ri i propozuar nga Qeveria.
Vitia shpjegoi se udhëzimi aktual nuk e rregullon siç duhet procedurën e IVF-së, pasi nuk lejon vendosjen e sanksioneve për institucionet që mund të shkelin standardet mjekësore, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Sipas tij, mungesa e një baze të fortë ligjore ka bërë që të mos ndërmerren masa në rastet e mëparshme të problemeve në këtë fushë.
“E kemi një Udhëzim Administrativ në fuqi i bërë nga ish-ministri Agani i cili nuk e rregullon në asnjë mënyrë këtë çështje. Sepse me këtë Udhëzim Administrativ nuk mund të kesh sanksione dhe ne jemi dëshmitar se edhe në vitet paraprake ka pas aksione nga Inspektorati Shëndetësor në lidhje me këtë procedurë, ku baza ligjore e munguar ka bërë që të mos merret asnjë masë. Ky udhëzim nuk ndalon të gjitha ato që disa po thonë që ky udhëzim është i mjaftueshëm dhe i ndalon të gjitha ato që po mundohemi t’i themi ne si e drejtë e një gruas për të qenë nënë”, ka thënë Vitia.
Ai njoftoi gjithashtu se barnat për IVF janë përfshirë në listën e barnave esenciale, ndërsa për dy seancat e para të procedurës do të ofrohet shërbimi pa pagesë. Seancat pasuese do të kenë një çmim shumë më të ulët krahasuar me koston e IVF-së në sektorin privat.