Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, të mërkurën nisi vizitën e tij në Izrael në një përpjekje diplomatike për të parandaluar shpërbërjen e konfliktit me Hamasin dhe për të shmangur përhapjen e tij në një konflikt më të gjerë.
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani, ka komentuar situatën dhe vizitën e presidentit Biden në Izrael.
Sopjani ka theksuar se përmasat e kësaj krize janë jashtëzakonisht të mëdha dhe të rrezikshme, duke paralajmëruar se konflikti aktual mund të përhapet në më shumë kontinente.
“Përmasat janë shumë të mëdha, të jashtëzakonshme marrë parasysh se ky konflikt mundet me involvu jo vetëm një, por më shumë kontinente në një konflikt më të gjerë, të përfshirjes edhe më herët të fuqive të mëdha në këtë pjesë të botës, sepse Lindja e Mesme ka qenë njëra prej vatrave më të nxehta mund ta themi edhe në 100 vjetët e fundit”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se refuzimi për të arritur një marrëveshje është një problem i palestinezëve dhe palës arabe, dhe ka theksuar se qëllimi i tyre nuk ka qenë krijimi i një shteti palestinez, por për zhdukjen e izraelitëve në atë pjesë.
Sopjani ka potencuar se populli palestinez është keqpërdorur për qëllime politike, dhe se ata vetë nuk kanë kuptuar se janë përdorur në këtë mënyrë për interesat e dikujt tjetër.
“Nëse kthehemi në historinë e hershme, e shohim që kanë qenë palestinezët që kanë refuzuar gjithmonë çfarëdo plani, çfarëdo mundësie, me të vetmen arsye sepse ata kanë qenë kundër ekzistimit të shtetit të Izraelit dhe izraelitëve në atë pjesë”, ka deklaruar tutje Sopjani.
Ndërsa, eksperti i çështjeve të sigurisë në Shqipëri, Avenir Peka, ka vlerësuar se vizita e një presidenti amerikan në Lindjen e Mesme është një ngjarje e rëndësishme veçanërisht në kontekstin e tensioneve aktuale.
Peka ka theksuar se situata duket e pasuksesshme për shkak të sulmeve në spitalin në Gaza dhe anulimit të takimeve katërpalëshe me përfaqësuesit e Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë, përveç SHBA-së.
Ai gjithashtu ka njoftuar se takimi me liderin e autoritetit palestinez, Mahmut Abaz, është gjithashtu anuluar nga ana e palestinezëve.
Peka ka thënë është e vështirë të parashikohet impakti i vizitës së presidentit Biden në këtë situatë të ndërlikuar.
“Që para se të fillojë vizita, nuk duket se do të ketë suksesin e pritshëm sepse për shkak të sulmeve të bëra në spitalin në Gaza, takimi katërpalësh midis SHBA-së Egjiptit dhe Arabisë Saudite dhe Jordanisë duket se është anuluar nga palët e tjera përveç SHBA-së. Gjithashtu, edhe një takim me liderin e autoritetit palestinez, Mahmut Abaz, duket së është anuluar nga ana e këtij të fundit”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai beson se presidenti Biden do të ofrojë mbështetje ndaj Izraelit në lidhje me sulmet terroriste dhe nevojën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij.