Profesori universitar Bujar Dugolli, ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke e krahasuar atë me periudhën e kaluar. Sipas tij, shtrirja e sovranitetit në veri është realizuar dhe se situata është ndryshe nga vitet e mëhershme.
Kështu Dugolli ka theksuar se tani situata në veri është e qetë, pa prani bandash kriminale që ndiheshin të fuqishme dhe që terrorizonin popullsinë lokale.
“Shtrirja e sovranitetit në veri ka ndodhë. Veriu është shumë ndryshe nga një vit më herët. Dhe sovraniteti është në të gjitha viset në të gjitha pjesët e Kosovës. Edhe në veri që ka qenë problematik para një viti, tash është situata e qetë, nuk ka raste apo banda kriminale që e kanë terrorizuar popullsinë por edhe kanë penguar autoritet shtetërore të luajnë rolin e tyre. Nuk flitej para një viti e më shumë për vizita të krerëve, në këtë formë siç po ndodhin tani. Edhe kur ka pasur vizita ato kanë qenë thjesht, deri të lagjja e Boshnjakëve që quhet, edhe ku ka pasur popullsi të përzier, por jo në pjesë të tjera, ka thënë Dugolli në FIVE të Dukagjinit.
Sipas Dugollit, më parë vizitat ishin të kufizuara dhe ndodhnin kryesisht në pjesët ku ka popullsi të përzier, por jo në pjesë të tjera të veriu, ku ka përqendrim më të madh të qytetarëve serbë.
Duke kritikuar qasjen e pushteteve të kaluara për veriun, Dugolli e cilësoi si “improvizim” vizitën e ish-presidentit, Hashim Thaçi, në Ujman në vitin 2018. Ndërkaq, tash, sipas profesorit universitar, vizitat e përfaqësuesve të institucioneve kosovare atje, përfshirë edhe kryeministrin, Albin Kurtin, përbëjnë një “realitet tjetër”.
“Unë po flas për realitete të tjera të krijuara. Nuk po flas për improvizime (vizita e Thaçit), derisa në terren kanë qenë ato organizata që sot cilësohen terroriste. Dhe kanë vepruar dhe çdo gjë është bërë me lejen tyre, kur kanë vepruar autoritetet andej. Prandaj tash është situatë krejt tjetër e krijuar. Është shumë mirë që vizitohet veriu edhe nga kryeministri dhe nga institucionet tjera për të çuar një mesazh që autoritete e rendit dhe shtetit të Kosovës kanë probleme vetëm me bandat kriminale që i kanë luftuar dhe do t’i luftojnë, por janë miqësore me popullsinë vendore atje…
Në të kaluarën kur janë ndarë mjete për pjesën veriore ato kanë përfunduar te kompaninë e kriminaleve Radojçiqi e Veselinoviqi dhe nuk ka përfunduar te qytetarët serb. Dhe tash çdo buxhet që derdhet në ato komuna duhet të jetë në projekte të prekshme”, ka shtuar Dugolli.