Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ardhur sot në Kosovë për herë të tretë që nga arrestimi i tij nga Gjykata Speciale në Hagë në nëntor të vitit 2020. Vizita u lejua për arsye humanitare, pasi babai i tij është i sëmurë.
Gjykata Speciale, e cila më parë kishte refuzuar dy kërkesa të Thaçit për një vizitë të tillë, këtë herë vendosi ta aprovojë atë, duke vendosur masa të rrepta sigurie gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, respektivisht në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Avokati i akredituar pranë Dhomave të Specializuara, Artan Qerkini, ka kritikuar masat e sigurisë të vendosura ndaj Thaçit, duke i cilësuar ato të tepruara.
Ai theksoi se të gjithë të akuzuarit nga Gjykata Speciale kanë treguar bashkëpunim të plotë dhe nuk ka pasur nevojë për masa kaq të rrepta sigurie gjatë vizitës.
Gjithashtu, Qerkini ka thënë se nuk ka pasur arsye ligjore të Thaçit t’i refuzohet vizita humanitare.
“Nuk kishe asnjë arsye ligjore që të refuzohet kërkesa për vizitë humanitare, e cila për fat të mirë veç se u realizuar sot…
Mendoj se siguria e cila po imponohet me rastin e vizitave të karakterin humanitar është e tepruar. Ngase edhe zoti Thaçi dhe të gjithë përsonat e akuzuar pranë Dhomave të Specializuara kanë treguar gatishmëri të jashtëzakonshme për bashkëpunim. Janë paraqitur vetë nuk ka pas nevojë të arrestohen. Gjithmonë kanë pas gatishmëri të bashkëpunojnë me gjykatën. Kështu marrë parasysh gjithë këto rrethana siguria që po imponohet është e tepruar. Mendoj me një siguri shumë më të vogël do të arrihej qëllimi i njëjtë. Dhe efekti i vizitës humanitare do të ishte me i madh. Ngase sot po e dimë se sot ishte një vizitë e karakterin humanitar, por me gjithe atë përcjellje policore disi p i humb kuptimi i vizitës”, ka thënë Qerkini në FIVE të Dukagjinit.
Ndërkohë, Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale si një akt humanitar të vonuar.
Ai akuzoi gjykatën për shkelje të të drejtave të të burgosurve dhe shtoi se vizita është lejuar vetëm pas presionit ligjor dhe pas disa kërkesave të refuzuara më parë.
“Më në fund kjo gjykatë e bëri një të mirë. Një akt humanitar, me vonesë. Por më mirë vonë se kurrë. Kështu që Gjykata Speciale ka shkelur të gjitha të drejtat e të burgosurve. Kur kanë të drejtë të burgosurit të lirohen dhe të vijnë t’i vizitojnë familjarët e tyre. Këtë e kuptoj më së miri sepse kam qenë në këtë gjendje çfarë është zoti Thaçi. Unë kam pas ardhur me viti babain dhe e di çfarë ndjenje ka një njeri të vijë nga qendra e paraburgimit ta vizitojë babain apo nën e sëmurë. Kështu që unë besoj kjo Gjykata ka bërë shkelje politike, se zotin Thaçin ka mundur ta liroj para një muaj ditë e jo të pritet gjithë ky presion ligjor. Të bëhen katër kërkesa, në fund me kërkesën e katër zoti Thaçi lirohet ta vizitojë babain”, ka thënë Gucati në FIVE.