Më katër prill të vitit 2021, me 71 vota pro nga 82 sa ishin në kutinë e votimi, Vjosa Osmani ishte zgjedhur Presidente e Kosovës.
Ajo është gruaja e dytë që votohet nga Parlamenti i Kosovës për këtë post, dhe presidenti/ja e gjashtë me radhë e Kosovës.
Zgjedhja presidente e Osmanit ishte bërë në raundin e tretë të votimit, meqë në dy raundet e para nuk kishte marrë votat e mjaftueshme, 80 sosh ose 2/3 e deputetëve të Kuvendit.
Ndryshe, nga dy raundet e para, ai i treti kërkon shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Dhe kalimi i këtij pragu për Osmanin ishte e lehtë.
Zgjedhja e saj si presidente ishte bërë pas një ndërprerje të seancës, meqë në dy votimet e para në raundin e parë, nuk kishte kuorum.
Më pas u kalua në raundin e dytë me procedurë të njëjtë dhe ishte prodhuar, po i njëjti rezultat.
U desh të kalohet në raundin e tretë, në të cilin Osmani kishte nevojë vetëm për shumicën e thjeshtë.
Mandati i Osmanit si presidente e Kosovës do të jetë pesë vjeçar.
Pas zgjedhjes së Osmanit presidente dhe zgjedhjeve paraprake të Glauk Konjufcës kryetar i kuvendit të Kosovës dhe Albin Kurtit, kryeministër, është hera e parë në historinë e shtetit të Kosovës që një parti politike (një listë votuese) udhëheq me tri postet kryesore të vendit.
Pas zgjedhjes, Osmani kishte mbajtur fjalim para deputetëve të Kuvendit.
Gjatë këtij fjalimi, ajo kishte dhënë një porosi për vajzat dhe gratë duke u thënë se, gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.
“Sot po e përmbyllim parathënien e historisë e re politike të Kosovës. Sot, Kosova zgjodhi edhe njëherë një presidente grua dhe për të gjitha vajzat e vogla shpresoj që ta mbani mend këtë që po e them tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ato vetë dëshirojnë dhe ëndërrojnë”, ishte shprehur presidentja.
Pas fjalimit të Osmanit, seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës e cila filloi një ditë më parë, më tre prill 2021, përmbylli punimet e saj.
Pak ditë para këtij përvjetori, zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte treguar një bilanc të takimeve ndërkombëtare të presidentes në tre muajt e parë të vitit 2022.
Që nga një janari e deri më 31 mars, Osmani ka realizuar 38 takime.
Nëntë takime me krerë shtetesh, tetë takime me kryeministra, pesë takime me kryetarë kuvendesh, gjashtë takime me drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe 10 takime me ministra të Jashtëm.
“Si dhe takime të tjera me delegacione të larta nga Shtëpia e Bardhë, telefonata me krerë shtetesh, takime me senatorë e anëtarë të parlamenteve nga SHBA-ja, BE -ja dhe shtete të tjera”, ka shkruar Kupina duke shtuar se, në këto takime janë përfshirë edhe takime me shtete jo njohëse, pa treguar se cilat janë ato.
Ndryshe, Vjosa Osmani, në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë vota.
Ajo që nga nëntori i vitit 2020 ishte ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj tashmë ish-presidentit, Hashim Thaçi.