Juristi dhe ish-politikani, Azem Vllasi, për përbërjen e qeverisë së re në Serbi në krye me Millosh Vuçeviqin, ish-ministrin e Mbrojtës, ka thënë se kjo qeveri është e njëjta me atë që ka qenë më parë, por ndoshta më pro-ruse.
“Përbërja e re e qeverisë është si e vjetra, ndoshta edhe pak më pro-ruse, Aleksandër Vulini, nënkryetar i Qeverisë, njeriu i dytë që është lidhja e drejtpërdrejtë me Rusinë dhe eksponent i Rusisë në Serbi, ai dhe një tjetër janë të dy në listën e zezë amerikane,” ka thënë Vllasi në “Five” në RTV Dukagjini.
Sipas Vllasit, presidenti serb mundohet të mbajë raporte të mira me amerikanët.
“Daçiqi i cili po ashtu është në lidhjen ruse, ministër i Brendshëm, me këtë ministrin e Jashtëm, Gjuriqin, Vuçiqi mundohet me i mbajt raportet korrekte me amerikanët, por kjo qeveri është kontinuitet i asaj më parë dhe thjesht është një servis i Vuçiqit dhe jo qeveri me integritet,” tha Vllasi.
“Unë e vërejta që Vuçeviq tha qëllimi strategjik[i Serbisë] është synimi kah integrimet evropiane, ndërsa qëllim kryesor është ruajtja e pavarësisë së Serbisë, por nëse synon në Unionin Evropian atëherë atje janë disa rregulla që duhet të përfillen. Asgjë të re me qeverinë e re, nuk ka shkëputje nga miqësia vëllazërore me Rusinë.”
Ndonëse qeveria e re serbe synimin e ka drejt integrimeve evropiane, Vllasi e quan jo të sinqertë.
“Serbia vazhdon, gjegjësisht Vuçiqi, në dy karrige edhe me lindjen e me Rusinë, edhe me Perëndimin, por këtu është problem, te perëndimorët që po e tolerojnë një politikë të tillë dhe përderisa po e tolerojnë pse mos me e luajt ai këtë lojë. Shtetet perëndimore dhe Amerika e kanë një synim tjetër, që Vuçiqin si njeri me pushtet në Serbi ta mbajnë disi në lidhje që të mos involvohet Rusia më tepër në Serbi, sepse nëse nuk kontrollohet kështu siç është Serbia e përmes Vuçiqit, ekziston rreziku më i madh i involvimit të Rusisë, e involvimi i Rusisë përmes Serbisë në regjionin tonë do të thotë tensione të reja, zhvendosja e vëmendjes nga Ukraina dhe probleme të tjera,” shtoi Vllasi.
Sipas tij, Vuçiqi ledhatohet për këtë arsye, e me këtë politikë Vllasi tha se “Vuçiqi kështu nuk e ka larg”.
“Ky ledhatim i Vuçiqit nga shtetet perëndimore nuk është një proces i gjatë,” tha Vllasi.
Amerikanët dhe shtetet perëndimore e kanë një logjikë të veten, sipas Vllasit, që e shikojnë se kush është më i fortë, me të me pas marrëdhëniet më të mira.
“Derisa të mbahet Serbia me Rusinë e Kinën dhe të flirtojë jo-sinqerisht me perëndimin, perëndimorët do ta mbajnë njëfarë distance, por nëse Vuçiqi dhe Serbia me ju kthy shteteve perëndimore dhe integrimeve evropiane, atëherë shtetet perëndimore dhe amerikanët, neve Kosovën, Malin e Zi e Maqedoninë do të na shikonin si më të vegjël dhe do t’ia bënin Serbisë qejfin në çdo aspekt,” ka thënë mes tjerash Vllasi.
Sa i përket vizitës së presidentit të Kinës që do ta bëjë nesër në Serbi, Vllasi tha se “presidenti kinez dhe Kina ka interesa strategjike ndaj Evropës, për interesa ekonomike dhe tregtare” duke shtuar se “Kina është bërë eksportues i madh i mallrave dhe Kinës nuk i interesojnë raportet politike, nuk përzihet në raportet politike të shteteve evropiane.”
Sipas Vllasit, interesi i Kinës ngërthen interesa ekonomike-tregtare.