Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pret që plani evropian të shtyjë pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.
Aktualisht, Kosova nuk njihet nga shtetet e BE-së, Spanja, Rumania, Sllovakia, Qiproja dhe Greqia.
Siç raporton DW, Von Cramon beson se me marrëveshjen, Kosova mund të nisë rrugën formale drejt anëtarësimit në BE.
“Edhe nëse ende mungon nënshkrimi përfundimtar, ky është një sukses i madh politik për BE-në, por edhe për të gjithë rajonin”, ka thënë Cramon për DW.
Ndonëse bisedimet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë takimit të tyre në Bruksel, janë mirëpritur nga ndërkombëtarët, megjithatë sipas tyre mbetet ende një punë e vështirë përpara.
Kryeministri Kurti, dhe presidenti Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
Në kuadër të dialogut të Brukselit, dy vendet fqinje, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja e fundit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia insiston në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një asociacionin njëetnik, që thotë se do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.
Zyrtarët e lartë amerikanë më herët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë formimin e një Republike Sërpska në Kosovë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.
“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë.
Teksa pyetet nëse Kosova ka afate për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se pyetja është se sa shpejt do të formohet.
“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.
Escobar ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta zbatojnë marrëveshjen për të cilën kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.