Shefja e Bashkimit Evropian [BE], Ursula von der Leyen e ka uruar gjithashtu, Trumpin “për fitore si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara”, dhe ka thënë se mezi pret të punojë me të për të avancuar një agjendë të fuqishme transatlantike.
“BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë sesa aleate. Ne jemi të lidhur nga partneriteti i vërtetë mes njerëzve tanë, duke lidhur 800 milionë qytetarë. Këto lidhje janë të thella, kanë rrënjë në historinë e përbashkët, në përkushtimin për liri dhe demokraci, dhe synimet e përbashkëta për siguri dhe mundësi për të gjithë”, ka thënë von der Leyen përmes një komunikate.
Ajo e ka ftuar Trumpin për të punuar së bashku në partneritet transatlantik.
“Miliona punë dhe miliarda në tregti dhe investime në dy anët e Atlantikut varen nga dinamika dhe stabiliteti i marrëdhënieve tona ekonomike”, ka thënë mes tjerash shefja e BE-së.
Trump i është afruar fitores, mirëpo ende nuk është shpallur zyrtarisht fitues i zgjedhjeve të 5 nëntorit.