Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian po përgatit plane të reja për forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe rritjen e aftësive ushtarake, me një potencial mobilizimi prej 800 miliardë eurosh.
Duke folur në një konferencë për media, Von der Leyen theksoi se Evropa është “gati të rritet” në aspektin e mbrojtjes.
Ajo njoftoi se BE-ja do të propozojë më shumë hapësirë fiskale për vendet anëtare në investimet e mbrojtjes, si dhe një paketë kredie prej 150 miliardë eurosh për këto investime.
Po ashtu, BE-ja sipas saj, synon të mobilizojë kapital privat për të forcuar kapacitetet ushtarake.
“Ne kemi nevojë për një rritje masive në mbrojtje, pa asnjë dyshim. Ne duam paqe të qëndrueshme, por kjo mund të ndërtohet vetëm mbi forcën, dhe forca fillon me forcimin e vetvetes”, deklaroi Von der Leyen, raporton BBC.
Sipas saj, ky plan synon të krijojë një Evropë “të sigurt” ndërsa shtoi se “jemi në një epokë riarmatimi”.
Udhëheqësit e BE do të diskutojnë propozimin në një samit të posaçëm kushtuar shpenzimeve të mbrojtjes të enjten.
Komisioni propozoi gjithashtu që vendet e BE-së të mund të përdorin për qëllime të mbrojtjes paratë që marrin nga buxheti i BE-së në fonde për të barazuar standardet e jetesës në të gjithë Evropën.