Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka pak a shumë të kompletuar listën e kandidatëve për anëtarët e rinj të Komisionit Evropian me mandat pesëvjeçar dhe pritet që së shpejti t’ua caktojë postet, të cilat do t’i ushtrojnë nëse konfirmohen nga ana e Parlamentit Evropian.
Më 30 gusht ka skaduar afati joformal, të cilin Von der Leyen ua ka caktuar vendeve anëtare për t’i propozuar kandidatët e tyre.
Vetëm Italia dhe Belgjika nuk i kanë shpallur publikisht ata, ndërsa vendet e tjera e kanë bërë një gjë të tillë.
Sipas traktateve të BE-së, secili vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisionar. Për rrjedhojë, Komisioni Evropian ka po aq anëtarë sa ka edhe vende anëtare – në këtë rast 27.
Ka pasur propozime që numri i komisionarëve të zvogëlohet, por kjo nuk është pranuar nga vendet më të vogla anëtare.
Lista me emrat e të propozuarve tregon se shumica e madhe e anëtarëve të Komisionit të ardhshëm, do të jenë për herë të parë në këto pozita, ndërsa vetëm disa që kanë shërbyer në Komisionin e deritashëm, do të mbeten.
Përpos presidentes Ursula von der Leyen, nga komisionarët aktualë do të mbetet edhe zëvendëspresidentja Dubravka Shuica nga Kroacia, përgjegjëse për demokraci dhe demografi.
Do të mbeten edhe Marosh Shefçoviq nga Sllovakia, Wopke Hoekstra nga Holanda, Valdis Dombrovskis nga Letonia, Thiery Breton nga Franca dhe Oliver Varhelyi nga Hungaria.
Këtij të fundit, me shumë gjasa, nuk do t’i jepet dikasteri i zgjerimit që ka pasur deri tash, pasi ai pritet t’i kalojë ndonjë kandidati nga ndonjë vend tjetër.
E vetmja gjë që dihet, është se Von der Leyen do të jetë presidente e Komisionit Evropian, ndërsa Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, do të jetë përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, e që me automatizëm bëhet edhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian.
Kallas ka qëndruar për një javë në Bruksel dhe është takuar me nëpunës dhe ekspertë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, në mënyrë që të përgatitet me kohë për procesin e dëgjimit dhe konfirmimit në Parlamentin Evropian.
Sipas burimeve diplomatike, ajo është konsultuar edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas konsultimeve me vendet anëtare, ajo pritet të vendosë se si të vazhdohet me këtë dialog në të ardhmen.
Për rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë të rëndësishëm vetëm komisionarët për punë të jashtme dhe siguri, si dhe për zgjerim, pasi, gradualisht, vendet e tij po përfshihen edhe në politikat tjera të përbashkëta të BE-së.
Me këtë rajon pritet të merren edhe komisionarët për energji dhe për punë të brendshme, si dhe ata që do të jenë të ngarkuar me sfidat demografike, kujdesin për të rinjtë dhe ruajtjen e mjedisit.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së synojnë që kandidatët e tyre të kenë poste që lidhen me financa, ekonomi, energji apo me politikën e kohezionit – ku shkon edhe pjesa kryesore e buxhetit të përbashkët të bllokut.
Kandidat nga Austria është ministri aktual i Financave i këtij vendi, Magnus Brunner. Nga Irlanda, po ashtu, është ministri i Financave, Michael McGrath. Çekia ka nominuar ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Josef Sikela. Nga Danimarka, për komisionar është nominuar ministri për Klimën Globale dhe Bashkëpunim e Zhvillim, Dans Jorgensen.
Finlanda, ndërkaq, pritet të dërgojë në Komisionin Evropian deputeten e Parlamentit Evropian, Henna Virkkunen. Eurodeputetë do të dërgojnë edhe disa vende tjera. Nga Lituania është kandiduar eurodeputeti Andrius Kubilius, nga Luksemburgu Christophe Hansen, ndërsa nga Rumania Viktor Negrescu.
Greqia ka kandiduar guvernatorin e Maqedonisë qendrore (rajon në Greqi) Apostolas Tzitzikostas, ndërsa Qiproja dekanin e Fakultetit të Shëndetësisë, Costas Kadis.
Nga Polonia anëtar i Komisionit Evropian është nominuar Piotr Serafin, që më herët ka qenë shef i kabinetit të ish-presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Maria Luis Albuquerque është kandidate nga Portugalia, ndërsa nga Spanja është zëvendëskryeministrja Teresa Ribera.
Suedia dërgon në Bruksel ministren për Çështje Evropiane, Jessica Roswall, ndërsa Sllovenia presidentin e Gjykatës së Auditorëve, Tomazh Vesel.
Bullgaria, ditën e fundit, ka dërguar dy propozime, një grua dhe një burrë, ashtu siç ka kërkuar Von der Leyen. Bëhet fjalë për Ekatarina Zaharievën dhe Julian Popovin. Por, është pothuajse e sigurt që Von der Leyen do të vendosë për Zaharievën, pasi mungojnë kandidatet.
Rreth dy të tretat e anëtarëve të Komisionit Evropian pritet të jenë burra dhe kjo tashmë është kritikuar nga Parlamenti Evropian dhe shoqëria civile, pasi nuk siguron balancë mes gjinive.
Italia dhe Belgjika pritet, po ashtu, të kandidojnë dy burra për anëtarë të Komisionit Evropian.
Nga e hëna, Von der Leyen pritet të vendosë për shpërndarjen e posteve.
Listën e plotë pritet t’ia paraqesë Parlamentit Evropian deri më 11 shtator, në mënyrë që të përgatitet procedura e dëgjimit dhe konfirmimit të kandidatëve në komisionet përkatëse parlamentare.
Nëse Parlamenti i konfirmon me kohë të gjithë kandidatët, Komisioni me përbërje të re pritet ta nisë mandatin më 1 nëntor.
Por, deri më tash, nuk ka ndodhur asnjëherë që Parlamenti të mos refuzojë së paku një apo dy kandidatë.
Në rastet e refuzimit, vendi i kandidatit që nuk ka kaluar, bën një propozim të ri dhe i njëjti përsëri kalon në procedurën e dëgjimit dhe konfirmimit. Kjo e vonon nisjen e mandatit të Komisionit Evropian për së paku një muaj, pasi ai duhet të konfirmohet si i kompletuar./REL