Gjersa ka treguar përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk mund t’a fitojë luftën në Ukrainë.
Përgjatë forumit dyditor Strategjik të Bled-it 2022, forum ky i cili këtë vit mban titullin “Sundimi i ligjit ose fuqia e ligjit”, Kryetarja Leyen i është drejtuar të pranishmëve duke u thënë se tema e këtij viti është çështja më e rëndësishme ngase e njëjta, ka të bëj me Evropën dhe botën.
“Bota po vëzhgon nga afër reagimin tonë ndaj agresionit rus. Gjërat janë të qarta për të gjitha. Në fillim të këtij viti, Rusia dhe Kina shpallën hapur të jashtëquajturën miqësi pa kufij. Vetëm disa javë më vonë, Rusia nisi luftën kundër Ukrainës. Nuk mund të ketë mesazh më të qartë”, ka thënë von der Leyen gjersa ka theksuar se Presidenti Putin nuk mund t’a fitojë këtë luftë nëse duam të ruajmë parimet bazë si vetëvendosja dhe paprekshmëria e kufinjëve.
Ndër të tjera, ajo ka bërë të ditur se BE-ja vazhdon të investojë në energjinë e gjelbër, transmeton KP.
“Kryesisht dua t’i japim fund varësisë sonë nga karburantet fosile ruse. Ne po punojmë për këtë dhe jemi duke diversifikuar furnizimin tonë”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq, pjesë e fjalës së von der Leyen ishte edhe Ballkani Perëndimor për stabilitetin e të cilit, ajo ka thënë se njëherësh paraqet edhe stabilitetin e Evropës.
Ajo ka vënë në dukje edhe domosdoshmërinë e përshpejtimit të integrimit ekonomik edhe forcimit të besueshmërisë në procesin e anëtarësimit.