Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der LeyTen qëndron sot për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.
Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, do të ketë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani nga ora 09:45 dhe kryeministrin Albin Kurti nga ora 11:15.
Para nisjes së turneut të saj, e para e Komisionit Evropian ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e BE-së.
Von der Leyen me ndalesën e parë kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.