Vonesat në ndërtimin e Qendrës Turistike ‘Borea’, Muhaxheri tregon për përfitimet që mund t’i ketë Rrafshi i Dukagjinit nëse do të realizohej

Muhaxheri tregon për vonesat në ndërtimin e Qendrës Tregtare "Borea"

Gjendet në bjeshkët e Rrafshit të Dukagjinit, vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës, maja ku po planifikohet të shndërrohet në një qendër rekreative turistike, e quajtur “Borea”.

E kjo për shkak të pozitës së saj atraktive, që atë e bënë një ndër vendet më tërheqëse në rajon.

“Borea” si projekt kishte filluar rreth gjashtë vjet më parë, në kohën kur në krye të shtetit ishte ish-kryeministri Isa Mustafa, e cila edhe sot e asaj dite ka mbetur si projekt i pezulluar duke mos arritur të finalizohen punimet e parapara për këtë qendër skijimi në qytetin e Pejës.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri në një intervistë për Telegrafin, deklaroi se si projekt ka filluar që prej vitit 2016, por që pengesa kryesore ishte mos miratimi i zoonimit të parkut të Bjeshkëve të Nemuna.

“Si projekt është nis prej vitit 2016, mirëpo ne kemi filluar përgatitjet një vit më herët për këtë projekt madhor për Komunën e Pejës por edhe për komplet komunat e tjera rreth Pejës. Ky projekt do t’i ndihmonte shumë në zhvillimin ekonomik, të komplet Rrafshit të Dukagjinit. Pengesa kryesore në thonjëza po e them ka qenë se nuk është miratuar zoonimi i parkut nacional në Bjeshkët e Nemuna. Edhe pse projekti si i tillë ka kaluar në Komisionin Ndërministror dhe është dhënë drita e gjelbër nga ministri i atëhershëm i Planifikimit Hapësinorë dhe katër ministra të tjerë të Komisionit bashkë me kryetarin e komunës e kanë miratuar fillimin e procedurës për ndërtimin e kësaj qendre”, ka thënë Muhaxheri për Telegraf.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe projekti i Qendrës Turistike “Borea”

Sipas tij, komuna i ka kryer të gjitha procedurat e aplikimit, kur ai është dorëzuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinorë, përgjigja e kthyer është se duhet të bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis për projektin e “Boreas”.

“Konsorciumi fitues e ka punuar projektin për realizmin e tij. I njëjti ka aplikuar për leje, i ka marr kushtet e ndërtimit në Komunën e Pejës dhe e ka dorëzuar për vlerësim të ndikimit në mjedis në Ministrinë e Planifikimit Hapësinorë. Komisioni Ndërministror të njëjtit i ka kthyer përgjigjen se duhet të bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis”, deklaroi ai.

Muhaxheri thekson se edhe pas dëgjimit publik dhe vërtetimit që ky projekt është miqësor ndaj mjedisit, i njëjti nuk ka shkuar shtatë vjet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

“Janë zhvilluar të gjitha procedurat që janë të parapara për vlerësim të ndikimit në mjedis dhe kur është kryer dëgjimi publik dhe janë bërë vlerësimet dhe është vërtetuar se projekti është miqësor ndaj ambientit dhe se kudo në Evropë ka kësi lloj qendra të skijimit edhe në parqet nacionale, ministria i është përgjigjur se pezullohet edhe një herë pëlqimi deri në zoonimin e Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna, ky zoonim ka shtatë vjet që nuk ka shkuar në Kuvend për miratim”, tregon Muhaxheri.

Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës / Foto: Telegrafi

Ndërsa në takimin e fundit që vetë Muhaxheri e kishte pasur me ministrin e Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu tha se i është premtuar se zoonimi i parkut do të shkojnë në Parlament brenda dy ose tre muajsh.

“Në takimin e fundit që e kam pasur me ministrin e Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu më është thënë që brenda muajit zoonimi i parkut do të shkon në Kuvend dhe besoj që brenda dy ose tre muajve do të miratohet zoonimi i parkut nacional. E me këtë do t’i hapet rruga realizmit të projektit të shumë pritur për qytetarët e Pejës dhe për mua vetë, realizmi i projektit Borea”, theksoi ai.

Madje ai thotë se tashmë është kuptuar rëndësia e këtij projekti, i cili lidhet direkt me zhvillimin ekonomik të vendit.

“Unë mendoj që ministri është profesional dhe e ka kuptuar rëndësinë e miratimit të zoonimit të parkut dhe interesit që ka Komuna e Pejës dhe komunat e tjera për zhvillim ekonomik. Është një interes i jashtëzakonshëm për Pejën, Deçanin, Junikun, Istogun dhe Klinën. Ndoshta në fillim këta nuk e shohin rëndësinë e kësaj dhe me kohë do t’i shihet rëndësia e këtij projekti në zhvillimin ekonomik të Pejës dhe qyteteve përreth”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri gjatë intervistës me Telegrafin

I pari i Pejës mendon se kishte pengesa politike për ndërtimin e “Boreas”, për fakti se është menduar që një projekt i ngjashëm të ndërtohet në Deçan.

“Unë mendoj që ka qenë qëllimi politik që të pengohet realizimi i këtij projekti. Është menduar që ndoshta është më mirë që të ndërtohet një projekt i ngjashëm në Deçan. Po shihet që në Malin e Zi brenda këtyre 2-3 vjetëve janë duke u ndërtuar pesë qendra të skijimit, pra Mali i Zi po e sheh interesin ekonomik ndërsa tek ne ende nuk po shihet si interes i përbashkët”, ka thënë Muhaxheri.

“Nuk ka mundur të realizohet gjatë kohës kur LDK-ja ishte në pushtet sepse nuk kanë mundur të kryhen procedurat dhe Isa Mustafa ka ra prej pushtetit. Kur ka ardhur Avdullah Hoti në pushtet ka qëndruar shumë shkurt dhe Qeveria është varur vetëm prej një vote. Kam shkuar dy herë që të bisedoj me ministrat, mjerisht që të dy kanë qenë nga radhët e AAK-së dhe nuk kanë pasur mirëkuptim që ta shtyjnë këtë projekt përpara”.

“Procedurat janë përfunduar qeveria ka rënë. Janë ndërruar katër qeveri prej atëherë dhe atë çka po mundohem ta them gjatë gjithë kohës është që pushtetarët tanë të vendosin gishtin në kokë dhe të mendojnë se çfarë po ndodhë në këtë vend. Nëse një kryetar i komunës i cili e njeh presidentin e vendit kryeministrin, ministrat në Ministrinë ë Planifikimit Hapësinor i njoh më shumë se 50 për qind e zyrtarëve dhe nuk mund të realizohet një projekt, si mundet të realizohet dikush i huaji që nuk e njeh në këtë vend askënd dhe vjen realizimi i një projekti. Ndoshta është projekti më i madh që mundet të realizohet në këto vite në Republikën e Kosovës”, tha ndër të tjerash ai.

Vendi ku planifikohet të ndërtohet projekti “Borea”/ Foto: Telegrafi

Borea, e cilësuar si projekti më i madh i realizuar në Republikën e Kosovës, sipas Munaxherit ka shumë përfitime duke filluar që hapja e vendeve të reja të punës e deri te mirëpritja për skijim të bashkatdhetarëve tanë, gjatë stinës së dimrit.

“Ky projekt mundëson punësim të njerëzve të rijnë, pengim të shpërnguljes dhe ndoshta do të kontribuon në pengimin e njerëzve për të shkuar jashtë vendit dhe hapjen e bizneseve, në Komunën e Pejës. Ne kemi shume bashkëqytetar tonë që jetojnë në Zvicër në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës dhe shohim që skijimin gjatë muajve të dimrit e kryejnë në Itali, në Spanjë, në Austri po besojmë që në të ardhmen do të vinin në vendin e tyre për të skijuar”, ka përfunduar Muhaxheri.

Operatori fitues i tenderit për ndërtimin e “Borea” në Bjeshkët e Kopranikut të Pejës është konsorciumi italiano-zviceran Leitner AG Spa & Filav SA. /Telegrafi/

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika