Votimi final për liberalizimin e vizave për Kosovën në javën e ardhshme në Parlamentin Evropian

Në javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do të votohet në seancën e Parlamentit Evropian

Drejtori ekzekutiv i EPIK-ut, Demush Shasha, ka njoftuar se në javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Shasha ka thënë se ky është votimi final në procesin e liberalizimit të vizave.

“Javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Ky është votimi final në procesin e liberalizimit të vizave. Më nuk do të këtë lajme për “edhe një votim” apo “edhe një hap”. Ky është fundi”, shkroi ai.

Megjithatë, Shasha e ka cilësuar si të “dhimbshëm” tërë rrugëtimin e këtij procesi.

“Dhe fakti që më vjen kaq zor të shqiptoj fjalën “urime” tregon sa i dhimbshëm ka qenë ky proces”, shtoi ai.

Ndryshe, më 9 mars, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar të enjten në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pra, në rrugën drejt finalizimit të këtij procesi kanë mbetur edhe tri hapa proceduralë, pasi nuk ka mosmarrëveshje politike në mes të shteteve anëtare lidhur me procesin.

Pas votimit të së enjtes, hapi i radhës është që përfaqësuesit e tri institucioneve të BE-së, Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit, të nënshkruajnë aktin ligjor.

Kur të përfundojë ky hap, atëherë mbetet procedura e publikimit në fletoren zyrtare, së bashku me datën e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe hapi i tretë apo i fundit është hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave.

Kjo do të ndodhë jo më vonë se 1 janari 2024, deri kur kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen varet nga sistemi ETIAS, për të cilin po bëhen përpjekje për funksionalizimin.

Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.

Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan t’i vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim, i cili është i vlefshëm për tri vjet.

Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.

Pra, diplomatët në BE bëjnë të ditur se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.

Burime në BE kanë pohuar se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, i cili përfundon më 31 qershor, dhe se vendimi do të jetë gati për të hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika