Me 48 vota për, është votuar gjatë mëngjesit të sotëm draft statuti i ri i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Mes shumë polemikash, në fund të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të thirrur nga shtëpia e futbollit të Kosovës, ka arritur të miratohet draft statuti i ri i FFK-së.
Kuvendi që ishte i mbyllur për mediat – të cilët përsëri nuk u lejuan të jenë pjesë në proceset e votimit të Federatës, ishte i përcjellë edhe nga polemika e ankesa nga anëtarë të ndryshëm.
Sipas Bujar Haradinaj, anëtar i lidhjes regjionale të Gjakovës, draft statuti i ri i Federatës së Futbollit të Kosovës – përmban shkelje të mëdha që mbi të gjitha nuk lejon asnjë kandidat që nuk ka qenë pjesë e FFK-së në pesë vitet e fundit, të ketë mandat në këtë institucion.
Haradinaj ka përmendur edhe legjenda të mëdha të futbollit shqiptar, si Lorik Cana, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri – që sipas tij nuk do të kenë mundësi të kenë një mandat në kuadër të Federatës, për shkak se nuk kanë qenë aktiv në këtë shtëpi në gjysmë dekadën e fundit para kandidimit.
Që statuti ka shkelje të mëdha, ka thënë edhe drejtori sportiv i FC Dritës, Valon Zymberi – i cili ndër të tjera ka kërkuar që votimi i draft statutit të shtyhet për një muaj, sepse sipas Zymberit, statuti i vjetër i FFK-së me të gjitha të metat, ka qenë më i mirë se ky i riu.
Ndryshe nga të lartpërmendurit, Tahir Batatina ka bërë thirrje që të votohet ky draft statut, sipas tij për të mirë të futbollit të Kosovës.
Kujtojmë që Federata e Futbollit të Kosovës ende është në proces të licencimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe një nga kërkesat që të përmbushën kushtet e licencimit, ka qenë pikërisht ndryshimi i statutit.