Edukimi parafillor në Kosovë, nga viti shkollor 2023-2024 do të bëhet i obligueshëm.
Kështu ka njoftuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ku ka theksuar se ky vendim përfshihet në Projektligjin e votuar të hënën e katër korrikut gjatë mbledhjes së fundit të kabinetit qeveritar.
Sipas saj, përmes Projektligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, do të rregullohet ofrimi i edukimit në të gjitha format e organizimit që nga lindja e deri në moshën gjashtë vjeçare.
“Ky projektligj do të përfshijë: Koordinim ndërsektorial, edukim në familje, ushqyeshmëri, krijim të menyve ushqimore, sigurim e rregullim të materialit didaktik, monitorim të punës edukative, aftësim i dadove. Nga viti shkollor 2023-2024 Edukimi Parafillor do të bëhet i obliguar”, ka shkuar Nagavci.
Ministrja Nagavci ka theksuar se me miratimin e këtij projektligji shënohet edhe një hap drejt zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ e arsimor, social e ekonomik.
Po ashtu, ajo ka potencuar se investimi në fëmijërinë e hershme garanton të nesërme më të sigurt për fëmijët, familjet dhe gjithë vendin.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, të hënën e katër korrikut, ka mbajtur mbledhjen e 86-të.
Në këtë mbledhje u mor vendimi që Qeveria e Republikës së Kosovës të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij hyrës.
“Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk merr shumë kohë. Polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, për të evituar pritjet në kufi ajo mund të blihet edhe online para se të niseni. E pasi ta kenë blerë bashkatdhetarët tonë policën, ata mund të aplikojnë për rimbursim të pagesës në formularin po ashtu online të Ministrisë së Financave”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, ai ka theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD) është duke punuar në strategji dhe në ligjin për diasporë.
“Gjatë gjithë vitit kabineti Qeveritar ka zhvilluar “Dialogun me Mërgatën” dhe një proces i tillë do të vazhdojë deri në fund të vitit. Janë duke u pilotuar për herë të parë programet për angazhimin e potencialit ekonomik, shkencor e profesional të mërgatës në kuadër të MPJD-së”, ka bërë të ditur Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se po punohet për herë të parë për të jetësuar koncept-dokumentin për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe certifikimin e gjuhës.
Po ashtu, edhe për ndërlidhjen e politikave për mërgatën me nivelin lokal, e për këtë siç thotë ai është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit me Asociacionin e Komunave për Diasporë.
Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 86-të të Qeverisë