Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lulzim Hetemi, për kryetar të Komunës së Leposaviqit, tashmë ka votuar në qendër të Kushtovës.
Pas votimit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i humbasin këto zgjedhje dhe të mos kenë frikë të japin votën e tyre.
“Banorët të dalin në zgjedhje sa më shumë, të mos kenë frikë aspak dhe të mos ketë asnjë mungesë”, ka thënë Hetemi.
Në vendvotimin e improvizuar në fshatin Kushtovë e Vllahisë të komunës së Leposaviqit, deri më tani kanë dalë për të votuar 13 persona.
Të drejtë vote në këtë vendvotim kanë 63 votues.
Aktualisht, në veri të vendit janë duke u zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se 313 qytetarë votuan deri në orën 11:00.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për RTK-në se deri më tani procesi i zgjedhjeve në komunat e veriut, sa i përket çështjes së sigurisë, është duke shkuar mirë.
Ai ka thënë të dielën se këto zgjedhje janë më ndryshe në aspektin e sigurisë, pasi Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë më të angazhuara.