Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është dënuar me gjobë 300 euro, me tri pikë negative dhe i është konfiskuar patentë shoferi për tre muaj, pasi në rrjetin social Facebook është postuar një video ku shihej duke e vozitur veturën e tij me shpejtësi 156 km/h, në zonën 50 km/h.
Sipas njoftimin të policisë, pas një pune hetimore njësiti relevant policor ka arritur të identifikojë kundërvajtësin, i cili ka pranuar se me automjetin “VW Golf” ka kryer kundërvajtjen “tejkalim i shpejtësisë”.
“Me datën 01.06.2023 rreth orës 22:00, në rrjetin social Facebook, është postuar një video ku një person shihej duke e vozitur veturën e tij me shpejtësi 156 km/h në zonën 50 km/h. Pas një pune hetimore, njësiti relevant policor ka arritur të identifikojë kundërvajtësin, i cili ka pranuar se me datën 30.04.2023 me automjetin VW Golf ka kryer kundërvajtjen ‘tejkalim i shpejtësisë’. Nga patrulla policore kundërvajtësit në fjalë i është shqiptuar gjobë 300 euro, sipas ligjit 05/L-088, nenit 56 paragrafi 2, tri pikë negative, si dhe i është konfiskuar patentë shoferi për tre muaj”, thuhet në njoftim.