Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar sot (e premte) masakrën në Likoshan dhe Qirez pas sulmit të forcave serbe më 1998.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruan se më 28 shkurt 1998, sulmi i forcave speciale të Serbisë, me artileri të rëndë, vazhdoi për 28 orë në fshatrat Likoshan dhe Qirez.
“Pas sulmeve me helikopterë dhe makina ushtarake, hynë forcat policore serbe. Brenda dhomës vranë me armë zjarri Rukie Nebihun, 27 vjeçare. Ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Në prehër kishte vajzën e saj 3 vjeçare”, ka shkruar ai.
“Rukies ia vranë edhe bashkëshortin Ilirin, 30 vjeçar dhe kunatin Xhemshirin, 33 vjeçar. Atë ditë u vranë edhe 17 civilë shqiptarë të paarmatosur. Sot përkujtojmë civilët shqiptarë të vrarë: Beqir Sejdiu (26), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27 vjeç, në muajin e shtatë të shtatzënisë), Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), Gani Ahmeti (46), Ahmet Ahmeti (50), Hamzë Ahmeti (44), Hilmi Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18) dhe Elhami Ahmeti (16). Përkujtojmë dëshmorët Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38) që ranë në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe në Drenicë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri tutje është shprehur se për këtë masakër të parë të luftës së fundit, nuk kanë ndarë drejtësi as prokuroria ndërkombëtare pas çlirimit dhe as kjo e shtetit tonë pas shpalljes së pavarësisë.
“Gjatë këtyre 27 viteve, shumë dëshmitarë kanë ndërruar jetë, duke e bërë edhe më të vështirë zbardhjen e së vërtetës. Ende ka plot të mbijetuar dhe dëshmitarë të gjallë, që presin të dëshmojnë.
Mosveprimi i institucioneve është padrejtësi e dyfishtë për viktimat dhe familjet e tyre, të cilat jetojnë me plagët e hapura dhe mungesën e përgjegjësisë.
Përkulemi me respektin më të thellë ndaj të gjithë burrave e grave që ranë në rrugën tonë të gjatë për liri dhe Republikë.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit e Qirezit! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar Kurti.
