Prokurori, Armend Hamiti, ka bërë të ditur se Bedri Rexhepi është vrarë nga dy persona për shkak të përftimit material, gjegjësisht shumës prej 30 mijë eurosh. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vallasaliu, të cilët dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.
Pas këtij konstatimi të prokurorit, ka reaguar vëllai i Bedri Rexhepit, Adnan Rexhepi, i cili ka thënë se familjes së tij i është shuar çdo shpresë.
“Shpresa e lutjet që ta gjenim të gjallë vëllain tonë na mbajtën të fortë gjatë gjithë kësaj kohe, por ja që tani na u shua çdo shpresë!”, ka shkruar ai.
“Ne këto ditë që i kaluam dhe po i kalojmë, ju falënderojmë përzemërsisht të gjithë ju që në çfarëdo forme ishit bashkë me ne, na qëndruat afër, ofruat ndihmën tuaj që dhimbjen e mërzinë ta ndajmë së bashku”, ka vijuar ai.
Ai ka bërë të ditur se varrimi i Bedri Rexhepit do të bëhet të enjten më 20 tetor në orën 13:00 në qytetin e Shtimes.