Një e vrarë dhe një i vetëvrarë gjatë së hënës në Stanoc të Vushtrrisë. Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Dea Dedinca, gazetare e TV Dukagjinit ka raportuar nga vendi i ngjarjes ku ka deklaruar se vrasja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të nënkalimit në një furrë buke. Në një prononcim direkt nga vendi i ngjarjes, familjari i së ndjerës, Rrahim Ajeti ka shpalosur detaje, ku ka thënë se sipas disa informacioneve vrasja ka ndodhur për “shkaqe se viktima ka ndërruar vendin e punës dhe nuk ka punuar tek i dyshuari”.
“Nuk ka pasur ndonjë lidhje familjare. Ka qenë grua shembullore.Viktima dhe bashkëshorti i saj kanë punuar vite më pare tek biznesi i të dyshuarit. Nuk janë burrë e grua. Rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja nuk e dijmë akoma. Por dyshohet se shkaku kryesor të jetë xhelozia se pse ka shkuar në një vend tjetër pune dhe e ke lane tek unë”, deklaroi familjari i viktimës, Rrahim Ajeti.
Ndryshe, Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur pasditen e së hënës në Stanoc të Vushtrrisë. Këtë e ka konfirmuar për TV Dukagjinin, Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni i cili ka thënë se një grua dhe një burrë janë viktima në këtë rast.
Deri më tani ende nuk është zbardhur relacioni i viktimave, por që ngjarja është kryer afër një nënkalimi në Vushtrri.
“Ka ndodhur një vrasje në qytetin e Vushtrrisë. Dyshimet e para janë për një burrë dhe një grua. Dyshohet se burri fillimisht e ka vrarë gruan dhe pastaj edhe veten. Në vend të ngjarjes ka dalur prokurori kujdestar dhe aty janë gjetur disa gëzhoja”, ka deklaruar Preteni.
Sipas konfirmimit, dëshmitarët e rastit janë duke u intervistuar. Dhe në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe një ekip e IML-së.