Hetimet për një prej rasteve më të rënda penale të pasluftës në vendin tonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka finalizuar.
Më shumë se 1 vit nga vrasja e Liridona Ademajt, ky institucion pritet që të ngris aktakuzë për të dyshuarit si të përfshirë në të.
Përmes një njoftimi, ata kanë bërë të ditur se Kryeprokurori Zejnullah Gashi, të mërkurën do të mbajë një konferencë për media, pa përmendur aktakuzën, por kjo i është konfirmuar televizionit nga burime të afërta me procesin.
Konkretisht, ato kanë thënë se aktakuza, tashmë është duke marrë formën përfundimtare para se të dorëzohet në gjykatë në mesjavë.
Televizioni, ka kontaktuar edhe me familjen e Liridona Ademajt, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin më gjerësisht.
Ata kanë pohuar të kenë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë dhe kanë qenë në njohuri për procesin.
“Besojmë që drejtësia do të triumfojë dhe ata të cilët e kryen këtë akt të dënohen maksimalisht. Vetëm denimi maksimal zbut sado pak zemrat tona.” – Familja Ademaj
Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor të vitit 2023,ndërsa të dyshuarit për planifikimin dhe ekzekutimin e krimit të rëndë janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla. Rasti i vrasjes së 39-vjeçares, fillimisht ishte hetuar si “grabitje me pasoja vrasje”, por hetimet intensive kishin rezultuar me arrestimin e tre personave, ku Murseli, konsiderohet si koka prapa krimit tronditës.