Vrasja e Liridonës, arrestimi i bashkëshortit e dy personave tjerë – gjithçka që dihet deri më tani

Policia e Kosovës të premten ka bërë të ditur se ka arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e Liridona Murseli më 29 nëntor në Prishtinë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, i cili ka pranuar para hetuesve policorë se e ka porositur vrasjen e gruas së tij

Liridona Ademaj Murseli, 30 vjeçare, u gjet e vrarë në një veturë të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi.

Të premten e 1 dhjetorit, Policia e Kosovës arrestoi tre persona për këtë vrasje.

Në mesin e të arrestuarve janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ku në media është raportuar se ai ka pranuar se ka porositur vrasjen e së ndjerës, personi me inicialet G.P., që sipas prokurorisë është dorasi dhe i dyshuari K.K., i cili është pjesëtar i FSK-së, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Një shumë prej 30 mijë eurosh dyshohet se është çmimi që kushtoi për vrasjen e Liridona Ademaj Murselit, gruas së Naim Murselit.

Kjo pasi i dyshuari i dytë si autor i vrasjes me inicialet G.P  në deklarimin e tij para organeve të hetuesisë, kishte thënë se u pagua për ta kryer vrasjen.

Arrestimet për Portalin Dukagjini i ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se policia dje kreu bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku është sekuestruar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

Pas arrestimit të Naim Murselit, bashkëshortit të Liridonës, babai i tij ka bërë të ditur se e pamja është anuluar.

Liridon Ademaj, vëllau i Liridona Murselit, tha për Gazetën Insajderi se çifti nuk kanë pasur probleme më herët, teksa konfirmoi se do ta zhvarrosin trupin e të ndjerës nga fshati i Naim Murselit.

“S’ka pasur problem asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë, do ta zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje”, tregoi Ademi për Gazetën Insajderi.

Ai tha se i kanë dhënë dy ditë besë familjes Murseli.

“I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, tha ai.

Në një deklaratë të dhënë në polici menjëherë pas vrasjes, burri i të ndjerës, Naim Murseli, kishte thënë se nuk ka parë asgjë nga momenti kritik.

Murseli kishte deklaruar se kur u përballën me grabitësit, ai i mori fëmijët për t’i larguar nga vendi i ngjarjes. Përgjatë kësaj kohe, ai ka thënë se kishte dëgjuar disa të shtëna, të cilat ishin fatale për bashkëshorten e tij.

Viktima ishte edhe shtetase e Suedisë.

Lidhur me rastin pati reagime të shumta.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka reaguar duke shprehur shqetësim që edhe një rast i vrasjes së gruas, dyshohet te jetë femicid.

RrGK-ja ka kërkuar që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.

“RrGK kërkon nga institucionet që lënda të cilësohet si ‘Vrasje e rëndë’ dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin për media.

Po ashtu edhe Agjencia për Barazi Gjinore që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka dënuar vrasjen e Liridona Murselit.

Sipas kësaj Agjencie dhuna në familje është një akt i kobshëm-kriminal i dënueshëm.

Agjencia u bën thirrje organeve të rendit për vënien para përgjegjësisë të dhunuesit dhe shqiptimin e dënimeve maksimale për autorët.

Arrestohet Naim Murseli, dyshohet për vrasjen e gruas së tij

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika