Sot pritet që vrasja e të ndjerës, Marigona Osmani, të marrë një epilog. Të premten do të mbahet seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të dy të akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e së ndjerës.
Seanca e cila do të jetë e hapur për publikun pritet të nisë nga ora 11:00.
Gjysmë ore para nisjes së seancës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të protestojë duke kërkuar drejtësi për Marigona Osmanin dhe ndëshkim maksimal për vrasësit e saj.
Në gusht të vitit 2021, Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj, nga tashmë të akuzuarit kryesorë për dhunimin dhe vrasjen e saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Sejdiu akuzohet për vrasje të rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit. Ai ishte arrestuar më 24 gusht, ndërkaq Krivaqa si i dyshuari kryesor, ishte arrestuar dy ditë më pas, teksa gjendej në arrati në një fshat të Ferizajt.
Aktakuza e përgatitur nga prokurori Valdet Osmani përshkruante maltretimin fizik e psikik ndaj viktimës, duke pasqyruar kështu një ndër aktet më mizore që kanë ndodhur viteve të fundit në Kosovë.
“Në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik…”, thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë.
Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, ndërkaq Arbër Sejdiu ishte deklaruar i pafajshëm.
Më 26 tetor 2022, në dëgjimin fjalë për fjalë të aktakuzës, Krivaqa kishte deklaruar se i vjen keq dhe kishte shprehur ngushëllime, duke thënë se pretendimet e prokurorit nuk kanë ekzistuar kurrë dhe nuk ekzistojnë, përderisa shkurt shoku i tij kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Ndërkohë, përveç prindërve të Marigonës, para gjykatës kishte dëshmuar edhe punëtori i kompanisë së kamerave, të cilin Krivaqa e kishte thirrur për t’i kontrolluar kamerat e sigurisë që gjendeshin brenda banesës së tij ku dyshohet të ketë ndodhur krimi.
Përveç tij, dëshmi ka dhënë edhe djali i dajës së Krivaqës, me të cilin, Krivaqa dyshonte se e ka tradhtuar e ndjera.
Seancat ishin ndërprerë përkohësisht përreth 5 muaj, sepse pritej raporti i Forenzikës mbi gjendjen psiqike të Krivaqës në kohën e kryerjes së krimit.
Por, megjithatë raporti kishte nxjerrë të aftë psiqikisht Krivaqën.
Gjykimi kishte vazhduar sërish pas 5 muajsh, me ç’rast ishte bërë administrimi i provave, përfshirë atë kryesoren, shikimin e incizimeve 72 orëshe të kamerave në banesën e Krivaqës kur dyshohet se kanë ndodhur veprat.
Dy ditë radhazi incizimet dhe provat i kishin ndjekur palët pa prezencën e publikut dhe mediave, pasi dëshmitë preknin integritetin seksual të së ndjerës.
Seanca e radhës kishte nxjerrë detaje edhe më shokuese se aktakuza, për faktin se Arbër Sejdiu kishte vendosur të jepte dëshminë e tij edhe një herë nga fillimi.
Ani pse edhe këtë herë Krivaqa u mbrojt në heshtje, shoku i tij dëshmoi mbi tri orë për tmerrin që kishte parë, duke thënë se gjendjen e rëndë si të Marigonës nuk e kishte parë as në filma.
Këtë të hënë qe mundësia e fundit për të akuzuarit, por edhe palët e tjera të thonin fjalën e tyre të fundit përpara se ky rast të marrë epilog të premten.
Si rrallëherë, në këtë seancë foli Krivaqa, i cili u pendua duke thënë se askush nuk e ka dashur të ndjerën sa ai.
Në seancën e fundit që paraqiste përmbylljen e këtij shqyrtimi gjyqësor, avokati i familjes Osmani kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të dy, pasuar nga avokatja e Sejdiut që kërkonte lirimin e tij, teksa mbrojtja e Krivaqës ngrehu dyshime se ky rast do të kthehet në rigjykim.
Dy të akuzuarit për krimin mizor ndaj Marigona Osmanit kanë qenë emra të njohur për organet e rendit edhe më herët, me dhjetra lëndë në gjykatë, por që kishin shijuar lirinë.