U.H i cili dyshohet se e vrau mizorisht nënën e tij në Pejë, ka disa javë që po qëndron në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Ai është dërguar, për t’iu bërë një ekzaminim psikiatrik.
Kjo është prova e fundit të cilën është duke e pritur Prokuroria Themelore e Pejës, para ngritjes së aktakuzës.
“I kemi mbledhur të gjitha provat që dëshmojnë kryerjen e kësaj vepre penale dhe mënyrën se si është kryer. Aktualisht jemi në pritje të raportit të psikiatrisë, me ç’rast do të bëhet konstatimi mjeko-ligjor lidhur me gjendjen e të pandehurit”, Shkodran Nikçi – Zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.
Për Prokurorinë në Pejë dhe hetuesit e përfshirë, ky rast mbase mund të ketë qenë vrasja më e rëndë e trajtuar ndonjëherë.
Trupi dhe koka e të ndjerës janë gjetur në vende të ndryshme të shtëpisë.
Se U.H ka pasur probleme mendore në ditën kur e kreu aktin e rëndë, dyshon edhe avokati i tij, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Asdren Mekaj.
“Deri më tani nga veprimet hetimore mund të konfirmoj se ndaj të njëjtit është urdhëruar analizë psikologjike, e përbërë nga ekspert si psikiatër, psikolog, për të përcaktuar gjendjen e tij mendore para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale”, Grafikë – Asdren Mekaj – Avokat i U.H.
Në deklarimin e tij në polici, pak orë pas kryerjes së vrasjes, U.H, e kishte pranuar veprën e kryer, duke thënë se ndodhin këto raste.
Po atë ditë, më 14 prill të këtij viti, ai i kishte sulmuar me thikë edhe babain dhe hallën e tij.