Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për përleshjen me armë zjarri në lagjen Aktash deri më tani janë ndaluar pesë persona, si dhe janë duke u zhvilluar hetime në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Sipas njoftimit, dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetuesit policorë kanë konstatuar se ky rast ishte përleshje në mes të dy grupeve të armatosura si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme.
“Prokurori kujdestar dje rreth orës 22:20, nga Policia e Kosovës- Njësia e Hetimeve Rajonale në Prishtinë është njoftuar për një incident me armë zjarri në mes disa personave në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Zejnullah Gashi, së bashku me Prokurorin kujdestar kanë dal në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë konstatuar se në këtë rast kemi të bëjmë me një përleshje në mes dy grupeve të armatosura si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme”, thuhet nga ana e Prokurorisë.
Si pasojë e kësaj, një person ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pesë të dyshuarit e ndaluar kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor.
Pesë të dyshuarit e lënduar për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, si dhe janë kryer veprimet hetimore nga Njësia e Forenzikës.
Po ashtu, sipas njoftimit, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’iu bërë autopsia.
Policia jep detaje për vrasjen dhe plagosjen e pesë personave në Prishtinë