Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, në përvjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, ka kërkuar nga Serbia që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të sjellë para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Tre vëllezërit, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane, të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi, pasi gabimisht kishin hyrë në territorin e Serbisë.
“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan në paraburgimin e policisë speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje Serbisë edhe një herë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të vërë para drejtësisë ata që kanë kryer këtë vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Serbi.
Prošle su 24 godine otkako su američki državljani Ili, Mehmet i Agron Bitići pogubljeni dok su bili u pritvoru srpske specijalne policije. Svaka godina koja prođe a da niko nije odgovarao za ovaj brutalni ratni zločin predstavlja uvredu za vladavinu prava.
— Američka ambasada (@USEmbassySerbia) July 7, 2023
Ndryshe, më 15 korrik të vitit të kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës i kërkon drejtpërdrejt Serbisë drejtësi për rastin e vrasjeve të tre vëllezërve Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet.
Në dokument theksohet se edhe pse autoritetet serbe e hetuan rastin, ato asnjëherë nuk i akuzuan individët që ishin pjesë e zinxhirit komandues.
Për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Prokuroria e Serbisë në vitin 2006 e kishte ngritur një aktakuzë kundër dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq.
Megjithatë, ata ishin liruar më pas nga Gjykata e Apelit.
Kongresi amerikan me rezolutë i kërkon Serbisë drejtësi për vëllezërit Bytyçi