Personi i dyshuar për vrasjen në një kafiteri në Klinë, Tush Frroku është dorëzuar në stacionin policor.
Lajmi është konfirmuar për Portalin Dukagjini, nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Nikçi ka bërë të ditur se ndaj tij do të shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
“Tush Frroku gjendet në stacionin policor, do ndalohet për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit. Ndërkaq, brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi.
Ai ka shtuar se nga momenti i vrasjes, personi i dyshuar është shpallur në kërkim, për çka janë bërë dhjetëra bastisje në tërë Kosovën.
“Nga momenti i vrasjes së ndodhur në Klinë, Policia e Kosovës me autorizimin e Prokurorit te Shtetit ka shpallur në kërkim të dyshuarin, Tush Frroku dhe ka pasur kërkim intensiv per kapjen e tij, ku jane bërë dhjetëra bastisje në tërë territorin e Republikes së Kosovës dhe kjo ka ndikuar të sigurohet prezenca e të pandehurit për zhvillimin e procedurës penale”, ka vijuar ai.
Ndryshe, më 7 gusht, një person u vra me armë zjarri në një lokal në Klinë, teksa i dyshuari, Tush Frroku ishte në arrati deri më sot.
I dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë të grabitur.
Tush Frroku, në të kaluarën kishte kryer edhe vepra të tjera penale.
Ministria e Drejtësisë kishte konfirmuar se i dyshuari për vrasjen që ndodhi në një lokal të Klinës ishte i shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar në Interpol nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Përmes një përgjigjeje dhënë për Portalin Dukagjini, Prokuroria Themelore në Pejë kishte njoftuar se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra të tjera penale dhe se ndaj tij kishte procedurë edhe për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Në përgjigjen e prokurorisë thuhet se në vitin 2012, Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Frrokut për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Kurse, në vitin 2016, sipas Prokurorisë ndaj të dyshuarit Frroku, ka pasur procedurë të zhvilluar për veprën penale “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm”.