Një person është vrarë të mërkurën në Skenderaj, ndërsa dy persona janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e rëndë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje të enjten, duke konfirmuar se të arrestuarit janë babë e bir.
Gjatë operacionit policor, janë sekuestruar një armë automatike AK-47, tri pistoleta dhe 53 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Sipas raportit të PK-së, viktima është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Mjekët e emergjencës kanë konstatuar vdekjen e tij, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Skenderaj 12.02.2025 – 13:45. Një mashkull kosovar, është qëlluar me armë zjarri dhe si pasoj e kësaj ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babë e bir) dhe nga të njëjtit janë sekuestruar: një armë AK47, tri armë të shkurta (pistoleta) dhe 53 fishekë kalibrash të ndryshëm. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit dhe ndodhen në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.