Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e një personi të shtunën e gjashtë prillit, në Fushë Kosovë.
Në raportin 24-orësh të policisë së Kosovës thuhet se viktima është shtetas i huaj dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.
Policia raporton se viktima është jashtë rrezikut për jetë.
Ky rast, në raportin 24 orësh është cilësuar si “vrasje në tentativë dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Rr. Bedri Pejani, Fushë Kosovë/ 06.04.2024-17:00 Është plagosur me armë zjarri viktima mashkull shtetas i huaj. Viktima është dërguar në tretman mjekësorë, dhe i njëjti sipas raportit mjekësorë është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raport.
Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja të armës së zjarrit.
Rasti po hetohet nga njësitet kompetente policore.