Vrasja e Liridona Ademajt, është rasti më i freskët që tronditi mbarë vendin, dhe jo vetëm.
Ishte 29, nëntori i këtij viti, kur Liridona u bë viktimë e një plani mizor, pas një darke krejtësisht të pazakontë, gjë që duket të jetë edhe subjekti nismëtar i ngjarjes.
Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, personazh publik, dyshohet se është autori i një drame, që përfundoi me tragjedi.
Gjithçka dukej e planifikuar. Grabitja ishte skenari i kësaj drame që përfundoi me tragjedi.
Rreth orës 18:30, darka e fundit për familjen Murseli u servua në restorantin Ethnohouse në Graçanicë. Atë natë, pranë tyre por në një tavolinë tjetër, darkoi edhe dorasi i Liridonës, Granit Plava. Rrugën për në restorant, Plava e bëri me veturën e markës Golf 7. E njëjta veturë, të cilës dyshohet se iu hoqën targat, u përdor në vrasjen makabre.
Pasi çifti ishte nisur në drejtim të shtëpisë, sipas Naim Murselit, persona të maskuar ua kishin zënë pritën.
Naimi, hetuesve u kishte pohuar se të njëjtit ua kishin marrë gjërat me vlerë si paratë e telefonat.
I gjendur në këtë situatë, Naimi deklaronte se është detyruar t’i largonte dy fëmijët nga vetura dhe se aty kishte mbetur Liridona, e cila u vra me plumb në qafë, në Bërnicë të Prishtinës. Naimi, si “dëshmitar” i rastit obligohej të jepte një deklaratë në organet e rendit.
Në ndërkohë, me të marrë lajmin për vrasjen, familja e Liridonës kishin kërkuar ta shohin atë menjëherë. Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ishte nisur nga Gjakova në drejtim të Prishtinës, bashkë me prindërit e tij. Në stacionin e policisë në Dragodan, ishte kontakti i parë që Leonardi pati me fëmijët e Liridonës dhe dhëndrrin Naimin.
Pas policisë, Naim Murseli do t’ua përsëriste të nesërmen të njëjtin version edhe familjarëve të bashkëshortes, të cilët patjetër që kishin pyetje.
“E kam pyet fort mirë. Naimi na kish pasë pre në besë neve. Kur e hetova unë më së pari… se kurrë njëherë një palë fjalë një yrnek këtu nuk m’i tha. Thashë Naim qysh ke puna që m’u vra çika, shpëtove ti e shpëtuan edhe dy fëmijët tjerë. Qysh ke puna, tregom pak diçka. Nisi të më tregonte. Tha ‘kemi qenë duke ecë rrugës dhe më ka dalë një njeri me pistoletë në dorë dhe më ka thënë gruaja ndale se hajnat’. Tha ‘e kam ndalë kerrin’. Thash a doli kah ana jote a kah ana e çikës. Jo tha, ‘kah ana jeme’. Thashë e qysh dole ti përjashta. Tha ‘po unë e çela derën teme, e i kam kapë edhe dy fëmijët’. Ani thashë a ta dhanë lejën për me i kapë ti edhe dy fëmijët tjerë me ikë teposhtë andej e me m’u vra çika në kerr, a qysh ke puna? ‘Edhe ika nja 5-600 metra a 1000 metra kam ecë veç me fëmijë’. Thashë a dëgjove farë krismash? Tha ‘po i kam ni dikur krismat’. Thashë e sa herë? ‘Nuk e di as vetë’. Po mirë thashë po të veti çikën qysh e le në kerr ti? Jo, tha ‘Liridonës ia lypën paret’. Ani thashë a ia dhatë? ‘Po do ia dhamë e Liridona nuk ia dha çantën e… Aty e kam hetu unë””, ka thënë babai i Liridonës. Hajdar Ademaj.
Edhe vëllai i Liridonës, Leonardi, tregoi për dyshimet e tyre të para.
“Më tha ‘unë i kapa fëmijët e dola, kur kqyra pas nuk ish kanë Liridona’. Çfarë burri është ai që i merr fëmijët e nuk e kqyr ku është nana? Dyshimet tona aty filluan”, tha Leonard Ademaj, vëllai i liridonës.
Madje, dyshimet e tjera, Leonardit i lindën edhe në momentin kur Naim Murseli nuk donte ta shihte trupin e pajetë të Liridonës.
Dy ditë më pas, me një dhjetor, familja përgatitej për ceremoninë e varrimit të së ndjerës. Gjatë lamtumirës së fundit, Naimi dukej i tensionuar për shkak të pranisë së mediave. Atë ditë, ai ngushëllohej nga qindra njerëz, para se policia ta arrestonte.
Pos tij, u arrestua edhe Granit Plava, i dyshuari kryesor që ekzekutoi Liridonën, për të vijuar më pas me arrestimin e Kushtrim Kokallës, një ushtar i FSK-së, si i dyshuar për përfshije në planin e vrasjes.
Po atë ditë, dorasi deklaroi në Polici se Naim Murseli e pagoi 30 mijë euro për ta vrarë Liridona Ademajn.
Edhe Naim Murseli fillimisht e pranoi në Polici se pagoi për vrasjen e gruas së tij.
Të dielën, kur në oborrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë priteshin të dyshuarit, të njëjtit hynë fshehurazi larg syrit të kamerës.
Ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku pas një seance të tensionur të dyshuarve iu shqiptua masa e parbaurgimit prej 30 ditësh.
Kjo, “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.
Naim Murseli i ndërroi fjalët, kur deklaroi në seancën dëgjimore se nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe se kishte qenë i rrezikuar edhe vetë.
“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, citohet të ketë thënë ai, sipas vendimit të gjykatës.
Kurse dorasi Granit Plava edhe avokati i tij Skender Gojani nuk e kundërshtuan caktimin e paraburgimit.
Edhe Kushtrim Kokalla dhe avokati i tij Ndec Dodaj i quajtën “të përgjithësuara” dhe “të paargumentuara” kushtet për caktimin e paraburgimit.
Ndërkohë, rrethanat e errëta që dolën në shesh, e rënduan akoma më shumë dhimbjen e familjarëve të viktimës 30-vjeçare.
Prindërit e Liridonës, nuk e pranuan faktin që trupi i saj të qëndrojë pranë varrezave të familjes Murseli. Andaj kërkuan nga institucionet zhvarrimin e saj, për rivarrim në fshatin e familjes. Prokuroria aprovoi kërkesën e familjes Ademaj.
Trupi i Liridonës doli edhe njëherë përballë qiellit të hapur.
Gjendja e familjarëve dukej jashtëzkaonisht e rënduar.
Por e rëndë ndihet gjendja edhe në shtëpinë e Naim Murselit, aty ku po qëndrojnë dy fëmijët e saj, të cilët nuk janë në dijeni për vdekjen e së ëmës.
Shaban Murseli, gjendjen emocionale të familjes e përshkroi si të mjerueshme.
“Gjendja jonë edhe emocionale edhe fizike është në gjendje të mjerueshme. E ndjera ka dy fëmijë që po përkujdesemi ne për ta, është shumë e rëndë. Ende po presim që në prani të psikologëve kur kthehen në Suedi t’u tregojmë për vdekjen”, ka thënë Shaban Murseli, babai i Naimit, në Debat Plus.
Teksa shprehet i tronditur nga ngjarja, Shaban Murseli ka thënë se nuk e ka kontaktuar Naimin dhe se nuk ka angazhuar ndonjë avokat për të.
Pos tre të dyshuarve, Policia e Kosovës, ka arrestuar edhe të dyshuarin e katërt i cili akuzohet për shitje të paautorizuar të armëve.
Vrasja e Liridonës tronditi mbarë vendin.
Në nderim të saj, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist organizoi marsh protestues.
Qindra njerëz kanë protestuar të martën pasdite në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjes së grave.