Vrasjet dhe plagosjet e fundit në Prishtinë, kërkohet “dënim meritor” për kryesit e veprave të tilla penale

Në dymujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar për Portalin Dukagjini thuhet se në kryeqytet ka ndodhur një "Vrasje e rëndë", 17 tentativa për vrasje dhe katër tentativa për vrasje të rëndë

Rastet e vrasjeve së fundmi në Kosovë kanë ngritur alarmin për situatën e sigurisë.

Në dymujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar për Portalin Dukagjini, thuhet se në kryeqytet ka ndodhur një “Vrasje e rëndë”, 17 tentativa për vrasje dhe katër tentativa për vrasje të rëndë.

Në aspektin e sigurisë kjo situatë po konsiderohet shqetësuese.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se dënimi meritor nga organet e drejtësisë i personave që kryejnë vepra të tilla penale është një nga veprimet që do të ndihmonte mjaft shumë në parandalim të kryerjes së krimeve të tilla.

Ai thekson se “dënimet minimale” nga organet e drejtësisë po “frymëzojnë” individë që veprimtarinë e tyre ta vazhdojnë pasi të dalin nga procesi i dënimit.

Sipas Shalës, institucionet duhet që prioritet të kenë sigurinë publike për ta rikthyer  besimin e qytetarëve të vendit në organet kompetente.

“Institucionet tona padyshim duhet që prioritet të kenë sigurinë publike, e cila është njëra nga shtyllat kryesore të sigurisë nacionale për të rikthyer sigurinë dhe besimin të qytetarët e vendit në institucione. Pra, hallkat e shtetit duhet padyshim t’i ndërlidhin veprimet e tyre në mënyrën e asaj që nga kryerja e një vepre penale deri te marrja e masave represive të mos kalojë periudhë më shumë se 6 muaj për të arritur edhe efektin e duhur preventiv në shoqërinë tonë, e cila është në krizë të indentitetit të tyre shoqëror/ekonomik e psikologjik”, ka deklaruar Shala për Portalin Dukagjini.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Se cilët janë faktorët që shtyjnë individë të ndryshëm të kryejnë krime, sociologu Jeton Brajshori thotë se askush nuk lind vrasës apo me prirje për të kryer vrasje, por që janë shumë faktorë që ndikojnë që këta persona të futen në botën e krimit.

Ndër tre faktorët kryesorë ai përmend edukimin, rrethin familjar e shoqëror.

“Ekzistojnë disa faktorë të cilët ndikojnë që individë të ndryshëm të kryejnë krime. Së pari, duhet cekur se askush nuk lind vrasës apo me prirje për të kryer vrasje, por që janë shumë faktorë që ndikojnë që këta persona të futen në botën e krimit, ndër faktorët kryesorë janë – Familja, edukimi dhe rrethi i ngushtë shoqëror”, ka deklaruar Brajshori,

Sipas Brajshorit, nëse ka pasur dhunë në familje tek individët e ndryshëm në fëmijërinë e hershme, skenat e tilla mund ndikojnë direkt në personalitetin e individit duke e shtyrë kah delikuencat në adoleshencë, ndërsa më vonë në botën e krimit.

“Po ashtu, edhe edukimi është i rëndësishëm sepse trajtimi i mirë dhe me kujdes i secilit në mënyrë të barabartë në shkollë, i zvogëlon dukshëm gjasat që dikush të futet në botën kriminale. Personat që kanë prirje në krim ose kanë qenë të bullizuar ose kanë qenë bullizues, për duhet patur kujdes edhe mësimdhënësit që rastet e tilla t’i adresojnë menjëherë dhe me kujdes të shtuar. Pas familjes dhe edukimit, rëndësi e veçantë e ndërtimit të individit luan edhe shoqëria e tij”, ka vijuar Brajshori.

Për rritjen e numrit të vrasjeve në vend, Brajshori fajin ua vë organeve të drejtësisë, pasi sipas tij, shumica e vrasësve janë recidivistë, të cilët me dhjetëra vepra penale enden të lirë dhe e shohin veten mbi ligjin.

Jeton Brajshori, sociolog
Jeton Brajshori, sociolog

“Institucionet e kanë fajin më të madh se nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet. Shumica e vrasësve janë recidivistë të cilët duke patur me dhjetëra vepra penale, ata enden të lirë dhe e shohin vetën mbi ligjin. Numri i madh i armëve pa leje dhe sa lehtësisht mund të vijë te to është tregues tjetër që institucionet përkatëse kanë dështuar”, ka potencuar ai.

Ai rekomandon që të ketë kampanja sensibilizuese në shkolla të organizuara nga policia së bashku me prindërit e nxënësve.

“Preventiva më e mirë është që nga familja të bisedohet me fëmijë për pasojat të kenë kampanja senzibilizuese në shkolla të organizuara, së bashku me prindërit dhe me policinë, të inkurajohen personat që kanë probleme t’i lajmërojnë ato dhe të mos i neglizhojnë si dhe të kërkohet më shumë përgjegjësi nga gjykata, të cilat e kanë ndoshta edhe fajin kryesor që ka shumë krime në vendin tonë”, ka përfunduar Brajshori.

Ndryshe, shkrepja fatale e plumbave në mes të dy grupeve brenda kryeqytetit la të vdekur dy persona dhe dy të plagosur të martën e 26 marsit.

Rasti raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada”, rreth orës 21:15, derisa i njëjti dyshohet se vjen si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion.

Konflikti dyshohet se ka nisur në mesditën e së martës në lagjen “Kolovicë”, e që përfundoi me një mori plumbash në mbrëmje.

Njëra nga viktimat nuk kishte të bënte me konfliktin mes dy grupeve, por 48-vjeçarja u vra nga plumbat e tyre deri sa ishte në veturë pranë shtëpisë së saj.

Më 30 mars, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën një muaj paraburgim ndaj të pandehurit L.H., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit K.G. dhe B.K., të cilët gjenden në arrati, kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Një tjetër konfrontim grupor të hënën e 4 marsit kishte tronditur banorët e lagjes së “Muhaxherëve” në Prishtinë.

Gjithçka nisi në rrugën “Bedri Shala”, ku Pajtim Gashi u përball me dy të dyshuarit, të cilët e sulmuan fizikisht dhe më pas u qëllua me armë zjarri në këmbë.

Por, kjo situatë nuk përfundoi me kaq.

Dita përfundoi me një breshëri plumbash të zbrazur në afërsi të shtëpisë së Gashit.

Ndërkohë, Gashi, i cili përfundoi në spital si pasojë e plagëve që mori, u lirua pasi gjendja e tij shëndetësore u stabilizua.

Sipas raportimeve të mediave, djali i Salih Sekiraqës, Shkumbimi – rreth 20-vjeçar, kishte gisht në plagosjen e Gashit, por që motivi vazhdon të jetë akoma mister.

Megjithatë, familja Gashi, anëtari i së cilës mbeti i plagosur, ka lëshuar një njoftim për media, duke mohuar se kanë ndonjë konflikt nga e kaluara me familjen Sekiraqa.

Pasi kaluan rreth 3 orë nga ky reagim, të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në dy lokacione, pikërisht afër rrugës “Bedri Shala”, në lagjen e “Muhaxherëve”, në afërsi të shtëpisë së Salih Sekiraqës, çka bëri që Policia t’i bllokojë disa rrugë në atë pjesë dhe lokacioni të rrethohet me shirita.

Megjithatë, nuk pati persona të lënduar nga gjuajtjet me armë zjarri.

Ndërkohë, në shkurt të këtij viti, nga të shtënat me armë zjarri, të cilat u dëgjuan te “Xhambazët”, në lagjen “Bregu i Diellit”, mbetën të plagosur dy persona.

Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar. Sipas raportimeve, palët e përfshira dyshohet se kishin një konflikt të mëhershëm.

Organet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjet e lartcekura.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika