Tre izraelitë janë vrarë më 1 shtator pasi makina e tyre u sulmua me armë zjarri afër qytetit Hebron, në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë zyrtarët izraelitë.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke shtuar se forcat e sigurisë janë në kërkim të sulmuesve, raporton Reuters.
Qindra trupa izraelite po kryejnë bastisje në mbarë Bregun Perëndimor që nga e mërkura në një prej aksioneve më të mëdha në muaj në këtë zonë, duke thënë se synimi i operacionit është çrrënjosja e militantëve islamikë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë operacionin në Bregun Perëndimor.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se tre policë, që ishin në makinën që u sulmua, u vranë.
“Ne po luftojmë në të gjitha frontet kundër një armiku mizor që dëshiron të na vrasë të gjithë ne”, tha Netanyahu.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, anëtar i kabinetit të sigurisë së Izraelit, i cili është politikan i linjës së ashpër, kërkoi më shumë veprime kundër militantëve palestinezë në Bregun Perëndimor.