Në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, një 30-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë, nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J. i moshës 30-vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H i moshës 30-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt.
Nga Policia Rajonale në Ferizaj është pranuar një informacion se, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri.
Patrullat e policisë menjëherë i janë përgjigjur kësaj thirrjeje dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Përveç patrullave të policisë, në vend të ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
“Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërenjtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhëra verbal ‘ndal policia’ që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhërat e policisë”, thuhet në njoftim.
Më tutje në njoftim thuhet se, “I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që në një moment i kthehet zyrtarëve policorë dhe njëri zyrtar policor për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e ka përdorur armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit”.
Po ashtu, i dyshuari, menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK).
Policia ka njoftuar se, sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me këtë rast është njoftuar Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe Inspektorati Policor i Kosovës(IPK), të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Me vendim të Prokurorit, lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj do të merret për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen.
“Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri (pistoleta) dhe shtatë gëzhoja”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu ,me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore(IML) në Prishtinë, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë.
Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, nën autorizim të Prokurorit i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Në vendin e ngjarjes, në lidhje me rastin janë mbledhur prova materiale dhe deklarative se si ka ndodhur rasti.