Lideri i lartë politik i Hamasit, Salah al-Bardaweel është vrarë në një sulm ajror izraelit në qytetin jugor Khan Younis në Gaza, ka njoftuar një zyrtar i Hamasit për “BBC” të dielën.
Në sulm është raportuar se kanë humbur jetën Bardaweel dhe bashkëshortja e tij.
Zyrtarët izraelit nuk kanë komentuar.
Ushtria izraelite i ka rinisur sulmet masive në Gaza të martën, duke e fajësuar Hamasin se ka refuzuar ta zgjasë fazën e parë të armëpushimit që kishte hyrë në fuqi më 19 janar.
Hamasi mohoi akuzat e Izraelit. Tha se Izraeli ka shkelur marrëveshjen që ishte ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka njoftuar se 32 palestinezë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Gaza.
Në një komunikatë, Hamasi ka thënë se Bardaweel ishte duke u falur kur një predhë izraelite goditi tendën ku gjendeshin.
Bardaweel është një nga afro dhjetë zyrtarë të Hamasit që raportohet se janë vrarë që kur Izraeli rinisi sulmet në Gaza të martën.
Ushtria Izraelite nisi operacionin për ta shkatërruar Hamasin si reagim ndaj sulmit të paprecedentë të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit u vranë 1200 persona dhe u morën 251 pengje.
Mbi 49,500 palestinezë janë vrarë në Gaza në ofensivën e Izraelit, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ndërsa territori është shkatërruar.