Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit, është sulmuar policia e Kosovës, ku është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.
“I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka thënë Kurti, duke shtuar se e dënojnë “këtë sulm kriminal e terrorist”.
Sipas tij, krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë.
“Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, ka shtuar ai.
Kurti thotë se Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.
Tutje, ai ka shprehur ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin e vrarë.